Lajme Shqip Thursday, 21 July 2011 16:24

Tiranë – Kuvendi miratoi ndryshimet e propozuara nga ministria e Financave në paketën fiskale për vitin 2011, në themel të së cilës janë heqja e doganës për automjetet, rritja e akcizës për karburantet, ulja e akcizës për birrën dhe heqja e tarifës doganore 10 për qind për veshjet.

Ministri i Financave, Ridvan Bode, i cilësoi sot ndryshimet në paketën fiskale, si politika atraktive për të mbështetur industritë vendase dhe për të vendosur rregulla për funksionimin e një tregu më transparent, më konkurues dhe për të minimizuar e goditur evazionin fiskal. Ministri Bode tha se këto ndryshime nuk synojnë rritjen e të ardhurave në buxhet.

Ndryshimet në ligjin “Për taksat kombëtare”, përfshijnë mënyrën e pagesës së taksës doganore për makinat e importuara dhe synojnë zhbllokimin e tregut të brendshëm të shitjes së automjeteve të përdorura.

Taksa që një qytetar do paguajë për qarkullim dhe regjistrim do të varet nga sa ai e përdor automjetin e tij dhe jo si më parë, kur taksa ishte e njëllojtë si për qytetarët që e përdornin rrallë automjetin e tyre, ashtu edhe për ata që e përdornin shpesh atë. Kjo taksë tashmë parashikohet të vilet në momentin e blerjes së karburantit.

Ndryshimet në ligjin “Për akcizat”, synojnë uljen e barrës fiskale në sektorin e prodhimit të birrës në vend. Synohet përshpejtimi i procedurës së rimbursimit të akcizës së paguar në blerje. Nga 4-7 muaj që ishte, tani do të jetë brenda një muaji. Në rast të kundërt personit të tatueshëm i lind e drejta e mospagesës së detyrimeve të tjera tatimore, në masën e akcizës së pretenduar për rimbursim. Gjithashtu industritë vendase, të cilat përdorin si lëndë të para produkte të akcizës, iu rimbursohet akciza e paguar në blerje.

Kuvendi miratoi po ashtu heqjen e tarifës së importit prej 15 % për industrinë e konfeksioneve në vend. Vendimi synon zgjerimin më tej të kësaj industrie.

Në seancën e sotme plenare u miratua edhe p/ligji “Për disa ndryshime në ligjin për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”.

Ky projektligj parashikon të drejtën e shoqërive të sigurimit për të përcaktuar në mënyrë të pavarur tarifat e primit të sigurimit, në përputhje me kushtet e tregut të sigurimeve. Aplikimi i këtyre tarifave do të bëhet vetëm pasi të njoftohet zyrtarisht autoriteti i mbikëqyrjes financiare.