Lajme Shqip Thursday, 21 April 2011 11:45

Tiranë – Për bizneset që kryejnë aktivitete të tregtisë së jashtme, letër kredia në import duhet të jetë një nga produktet bankare më klasike. Banka shërben si hallkë e ndërmjetme mes blerësit dhe shitësit, për të bërë kryerjen e pagesës kundrejt garancive se malli është sjellë sipas kushteve dhe standardeve të porositura. Por, në Shqipëri rrallë ndodh kështu.

Biznesmenët shqiptarë zakonisht i kryejnë pagesat për mallrat e importuara paraprakisht dhe në mirëbesim, duke qenë të ekspozuar ndaj rreziqeve si vonesa në dorëzim apo cilësia e dobët e produktit.

Për këtë arsye, Banka Kombëtare Tregtare organizoi sot një seminar për praktikat bashkëkohore në Tregtinë e Jashtme. Ekspertët e bankës shpjeguan për bizneset avantazhet e përdorimit të garancive bankare dhe letër kredive në importe.

Seyhan Pencapligil, drejtor i përgjithshëm i BKT, thotë se në Shqipëri shumë veprime biznesi bëhen në mirëbesim, duke besuar vetëm te fjala.

“Shpesh njerëzit mund të blejnë një makinë apo një shtëpi pa asnjë dokument ligjor që t’i garantojë për atë që kanë blerë. Kështu ndodh edhe në Tregtinë e Jashtme. Tregtarët shqiptarë parapaguajnë në mirëbesim. Por, duhet të kuptojmë se kur bën biznes me partner të huaj, nuk mund të besosh vetëm në fjalë. Biznesi ka nevojë për garanci se çdo gjë do të bëhet sipas kushteve të përcaktuara. Këto garanci i jep letër kredia, sipas të cilës banka zotohet të paguajë në favor të shitësit, sipas kushteve të përcaktuara nga blerësi. Pra, banka del  garant dhe eleminon rreziqet për blerësin,” shprehet Pencapligil.

Sipas statistikave të Deutsche Bank, numri i letër kredive të lëshuara nga bankat në Shqipëri është disa herë më i ulët krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Gjatë vitit 2010, bankat shqiptare lëshuan vetëm 180 letër kredi, ndërkohë që në vendet e rajonit ky produkt përdoret disa herë më shumë.