Lajme Shqip Friday, 15 April 2011 09:17

Tiranë – Në vazhdën e produkteve që i përshtatet Agrobiznesit, ProCredit Bank ka dizenjuar produktin e saj më të ri për financimin e bizneseve që hapen për herë të parë – kreditë Start-Up. 
Burime nga kjo bankë bënë të ditur se një kredi do të konsiderohet e tillë, Start-Up, kur analiza financiare bëhet mbi të ardhurat e pritshme nga biznesi që do të hapet, të cilat mund të jenë të rregullta apo sezonale. Ndryshimi i këtyre kredive me kreditë standarde Agro që banka jep është se të ardhurat në kreditë Start-up nuk merren më përpara, por priten të merren në të ardhmen, pas investimit.
Në kreditë Start-Up banka merr përsipër të mbështesë hapjen e një aktiviteti të ri dhe zgjerimin apo zhvillimin e konsiderueshëm të aktivitetit aktual që çon në dyfishimin apo trefishimin e tij.
Ky shërbim do t’i vijë në ndihmë dhe do të jetë një opsion më shumë për të motivuar dhe për të riintegruar më shpejt shtetasit shqiptarë të cilët jetojnë jashtë vendit. Kjo mundësi do të ndihmojë ata të rikonsiderojnë kthimin e tyre në Shqipëri dhe marrjen pjesë aktive në zhvillimin e vendit tonë. Gjithashtu, nëpërmjet kredive Start-Up shtetasit shqiptarë që jetojnë në Shqipëri do të kenë një arsye më shumë për të mos u larguar në emigracion, por për të përfituar nga mundësia e ofruar për hapjen e biznesit të tyre. 
Zonat rurale kanë nevojë për investime për t’u zhvilluar, të cilat mund të jenë subvencionimet shtetërore, grantet, kreditë etj. Agrobizneset kanë qenë sektori më pak i kredituar nga bankat, për arsye të rrezikshmërisë së lartë të moskthimit. Deri më sot ProCredit Bank është banka e parë dhe e vetme e nivelit të dytë që e krediton këtë sektor, duke ofruar produkte/shërbime tërheqëse dhe të krijuara në mënyrë specifike për të gjithë ata që duan të investojnë në Agrobiznes.