Lajme Shqip Wednesday, 10 August 2011 16:30

Tiranë – Sipas të dhënave të publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, kreditë me probleme në fund të muajit Qershor arritën nivelin 17%. Megjithëse situata financiare e bankave ngelet e shëndetshme, kreditë me probleme janë bërë tashmë shqetësimi kryesor.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, norma e kredive me probleme për sistemin bankar është rritur me 4.8 pikë përqindjeje. Vështirësitë që solli kriza botërore dhe ngadalësimi ekonomik ka cënuar aftësitë e bizneseve për t’ju përgjigjur detyrimeve ndaj bankave.

Por, siç kishte paralajmëruar Banka e Shqipërisë, edhe kreditimi me standarde ndonjëherë tepër liberale që u aplikua nga disa banka para vitit 2008 duket se po jep pasojat e veta. Jo rastësisht, bankat që kanë nivelet më të larta të kredive me probleme janë ato që në periudhën mes viteve 2005 dhe 2008 ishin dalluar për zgjerim me ritme shumë të larta të kreditimit.

Këtu përfshihen bankat greke, si Tirana, Alpha apo Emporiki, por jo vetëm ato: edhe Raiffeisen Bank po vuan pasojat e disa kredive në vlera të mëdha për koorporatat, kredi që nuk kanë rezultuar të suksesshme.

Pavarësisht se norma e lartë e kredive me probleme nuk cënon sigurinë e sistemit bankar, ajo po ndikon në kreditimin me ritme të ngadalta të ekonomisë. Për sa kohë që kreditë me probleme vazhdojnë të rriten, është e paevitueshme që bankat do të vazhdojnë të mbajnë një qëndrim të kujdesshëm edhe në të ardhmen e afërt. (LajmeShqip.com)