Lajme Shqip Wednesday, 11 May 2011 15:00

Tiranë – Biznesi po iu rikthehet investimeve. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për tre muajt e parë të vitit 2011 kredia për investime në makineri dhe pajisje preku vlerën e 9.9 miliard lekëve, me një rritje prej 46% krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2010. Sektorët më të kredituar të ekonomisë, në pjesën e parë të vitit 2011 kanë qenë shërbimet e tjera dhe industria, pasuar nga tregtia dhe bujqësia, ndërkohë që fluksi neto i kredisë për

sektorin e ndërtimit ka qenë negativ. Në analizat e veta, Banka e Shqipërisë vlerëson se potenciali i pashfrytëzuar në ekonominë shqiptare vazhdon të jetë ende në nivele të larta.

Për tremujorin e parë të këtij viti, ky tregues shënoi nivelin 67.2%, shifër kjo në përkeqësim krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Shfrytëzimi i kapaciteteve në ekonominë shqiptare qëndron 4.6 pikë përqindjeje nën nivelin mesatar. Nga ana tjetër, rritja e kredisë tregon që biznesi po investon më shumë në kapacitete të reja prodhuese.

Në pamje të parë, duket se këto tendenca janë konradiktore. Por, prirja për të rritur investimet, megjithë nivelin e lartë të potencialeve të pashfrytëzuara, me sa duket reflekton një optimizëm të biznesit për të ardhmen e aktivitetit të vet dhe të ekonomisë shqiptare.