Lajme Shqip Tuesday, 05 July 2011 18:11

Tiranë – Ministri i Financave të Kosovës, Bedri Hamza dhe homologu i tij,  ministri Ridvan Bode kanë diskutuar të martën në Tiranë mundësitë për eliminimin e barrierave doganore me qellim të lëvizjes së lirë të mallrave Kosovë-Shqipëri.

Ministri Bedri Hamza, duke shprehur falënderimet e tij për mikpritjen e homologut të tij, tha se Kosova është e gatshme për bashkëpunim në çdo kohë me shtetit shqiptar, si në eliminimin e barrierave doganore dhe atyre administrative. 
“Grupet e ekspertëve të të dyja vendeve do të shqyrtojnë detajet e eliminimit të tarifave të dyfishta doganore në mënyrë që prodhuesit kosovarë dhe ata të Shqipërisë të gjejnë vend në tregjet e dy vendeve”, tha ministri Hamza. 
Edhe ministri Ridvan Bode shprehi gatishmërinë dhe mbështetjen e shtetit shqiptar për të bashkëpunuar me Prishtinën në fushat me interes të përbashkët në zhvillimin ekonomik, financiar si dhe në fushat të tjera. 
Përveç diskutimeve për eliminimin e barrierave, dy ministrat i kanë diskutuar edhe mundësitë për krijimin e një bashkëpunimi ndërshtetërorë në fushën e financave, sidomos ndërmjet administratave doganore dhe atyre tatimore. 
Gjatë vizitës në Tiranë ministrin Bedri Hamza po e shoqërojnë drejtori i përgjithshëm i Doganës, Naim Huruglica dhe drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore, Behxhet Haliti, si dhe drejtori ligjor në Ministrinë e Financave, Lulzim Rafuna.