Lajme Shqip Tuesday, 12 July 2011 18:46

Tiranë – Qeveria shqiptare ka vendosur që koncesionet në sektorin energjetik t’u jepen investitorëve seriozë, që garantojnë kapital deri në përfundimin e punimeve. Ministri i Energjetikës, Nasip Naço, tha në konferencën për “Nxitjen e investimeve në energji” se, praktika e deritanishme ka treguar se koncesionet u janë dhënë disa kompanive ekzistuese në treg, por pa garanci financiare deri në përfundim të punimeve.  Kompanitë austriake, të njohura me realitetin energjetik në Shqipëri, kanë shfaqur interes për të investuar në këtë sektor. Ambasadori austriak në Shqipëri, Florian Raunig, u shpreh se, janë rreth 40 kompani që kërkojnë të bashkëpunojnë me investitorët shqiptarë.

“Pas katastrofës së ndodhur në Japoni, tani është pikërisht koha e duhur për të shtuar investimet në sektorin e energjisë së rinovueshme. Në mbarë botën është rritur kërkesa për energji alternative. Shqipëria është vendi me më shumë burime hidrike në rajon dhe deri tani shfrytëzon 35% të burimeve. Prodhimi nga energjia e rinovueshme mbron ambjentin, pasi nuk emetohet dioksid karboni në ajër. Qeveria dhe bizneset austriake do të vazhdojnë mbështetjen e këtij sektori. Kemi investuar në rehabilitimin e digave në kaskadën e Drinit dhe në ndërtimin e hidrocentralit të “Ashtës”. Projekti “Ashta” ka kushtuar 200 milion euro dhe përfundon brenda vitit 2012,” tha Rauning.

Kryetari i Unionit të Dhomave të Tregtisë, Ilir Zhilla, tha në konferencë se, sektori energjetik ka nevojë për investime të mëdha nga kompani të huaja.