Lajme Shqip Friday, 15 April 2011 13:31

Tiranë – Përdoruesit e kartave bankare duhet të jenë veçanërisht të vëmendshëm ndaj mashtrimeve nëpërmjet internetit.

Enkelejda Balliu, kryetare e Komitetit Kundër Mashtrimeve me Karta në Shoqatën Shqiptare të Bankave, thotë se tendenca për klonimin e kartave është rënie, ndërkohë që mashtrimet përmes internetit janë rritur tre herë.

Balliu thotë se zëvendësimi gradual i kartave me shirit magnetik me karta me chip elektronik i ka ulur ndjeshëm mundësitë e klonimit dhe vjedhjes së të dhënave prej kartave. Ajo këshillon që klientët të ndjekin me rreptësi këshillat që jep banka për një përdorim të sigurt të kartës, si mosdhënia në asnjë rrethanë e kodir PIN te persona të tjerë apo përdorimi i kartës në internet vetëm në portale të sigurta.

Të dhënat tregojnë se mashtrimet me karta kryhen në pjesën më të madhe nga shtetas të huaj. Forcimi i standardeve të sigurisë në vendet e zhvilluara ka bërë që ky lloj krimi të zhvendoset në vendet më pak të zhvilluara dhe ku sistemet elektronike të pagesave janë më të reja.