Lajme Shqip Monday, 23 May 2011 18:59

Tiranë – Komisionet e përhershme parlamentare të Ekonomisë dhe Veprimtarisë Prodhuese, miratuan sot në mbledhjet e para që pas zgjedhjeve lokale të 8 majit, marrëveshjen e kredisë prej 222.7 milionë usd, që Banka Islamike për Zhvillim (IDB) do të financojë për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan.

Marrëveshja e IDB me Qeverinë Shqiptare për financimin e kësaj rruge, u miratua vetëm me votat e maxhorancës, pasi deputetet socialistë nuk kanë qenë të pranishëm në komisionet e Kuvendit, pasi kanë deklaruar s’e do të bojkotojnë mbledhjet e komisioneve parlamentare, të cilat rinisin punën pas ndërprerjes më tepër se një muaj.

Autostrada Tiranë – Elbasan, punimet e së cilës kanë nisur pak javë më parë, është pjesë kryesore e Boshtit të Jugut. Ajo do të ketë një gjatësi prej 31.17 km, nga 55 km që është aktualisht dhe do të ndërtohet në kushte teknike për t’u përshkruar me një shpejtësi sa trefishi i asaj që është lejuar sot në këtë segment.

Projekti i ndërtimit të tunelit Tiranë-Elbasan pritet të shkurtojë një distancë jo vetëm gjeografike, por dhe kohore mes këtyre dy qyteteve si dhe do të kthejë qytetin e Elbasanit në një zonë shumë të zhvilluar, pasi përmes saj do të ketë fluks transaksionesh tregtare, që parashikohet të realizohen brenda 2 viteve të ardhshme.

Vlera totale e investimit të segmentit prej rreth 400 milionë dollarësh, do të vijojë të ndërmjetësohet përmes IDB-së, duke kontraktuar edhe donatorë të tjerë si Fondi i Abu Dhabi-t, i është kërkuar të financojë në shumën 100 milionë USD; Fondi Saudit për Zhvillim, i është kërkuar të financojë në shumën 15-25 milionë USD; Fondi OPEC, të cilit i është kërkuar të financojë në shumën 15-25 milionë USD; si dhe kontributi i Qeverisë Shqiptare, i cili do të mbulojë pjesën e mbetur të kostos së projektit.