Lajme Shqip Tuesday, 17 May 2011 18:19

Tiranë – Gjykatat po mbajnë peng kreditimin e ekonomisë, duke u bërë palë me debitorët. Me rritjen e numrit të kredive me probleme, është rritur edhe numri i rasteve që bankat i çojnë në gjykatë për ekzekutim. Por debitorët e këqinj shfrytëzojnë të gjitha hapësirat për të zvarritur pambarimisht çështjet, duke ankimuar të gjitha hapat. Zvarritja e rasteve të ekzekutimit nga gjykatat po bëhet një fenomen masiv, me kosto të rënda për bankat.

Ekspertët ligjorë të bankave kërkojnë kufizimin e hapësirave për shtyrje arbitrare nga debitorët dhe për vlerësime subjektive nga gjykatësit.  Andon Daka, drejtor i departamentit Juridik në Bankën Credins, thotë se është e domosdoshme që të vendosen disa kufizime në afatet e ankimimit të hapave procedurialë. Ndërsa, në një perspektivë më të gjatë, sipas tij, është e nevojshme të përcaktohen metoda më të qarta dhe më pak subjektive për mënyrën e llogaritjes së vlerës së sendit të lënë si garanci.

Kreditimi është një nevojë organike e ekonomisë, sidomos pasi ndjeu për rreth dy vjet pasojat e krizës botërore. Fjala kyç në këtë moment është rimëkëmbja dhe rimëkëmbja ka nevojë për kreditim. Por bankat nuk mund të japin kredi të reja pa zgjidhur problemet me ato ekzistueset. Shumë gjykatës, nga padija apo nga interesa korruptive, përkrahin zvarritjet e çështjeve dhe vlerësimet jo realiste të kolateralit, duke i shkatuar dëme të mëdha sistemit bankar dhe ekonomisë shqiptare.