Lajme Shqip Wednesday, 27 April 2011 12:25

Tiranë – Këshilli mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mbajti të pandryshuar normën bazë të interesit për lekun në masën 5.25%, deklaroi të mërkurën Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.

Në një konferencë për shtyp, Guvernatori Fullani konfirmoi rritje të ekonomisë shqiptare gjatë 3-mujorit të parë 2011, që është mbështetur nga kërkesa e brendshme dhe e huaj për mallra shqiptare. Ndërkohë që zgjerimi i eksporteve dhe rritja e moderuar e importeve ka sjellë përmirësim të defiçitit tregtar, duke ndihmuar në balancimin e kërkesës dhe ofertës për valutë dhe ruajtjen e vlerës së monedhës kombëtare.

Fullani shpjegoi se BSH-ja, në misionin e saj, mbetet e angazhuar në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe politika monetare e BSH-së do të jetë e orientuar drejt ruajtjes së qëndrueshmërisë së çmimeve, në përputhje me objektivin e saj. Sipas tij, inflacioni gjatë muajit mars shënoi nivelin 4.3%, si pasojë e rritjes së çmimeve.

Duke iu referuar zhvillimeve në sistemin bankar, Guvernatori theksoi se BSH-ja ka ndërmjetësuar për të nxitur kreditimin e biznesit nga bankat. Ndërsa zhvlerësimi i lekut në masën 1% paraqitet brenda parametrave objektive, tha ai.