Lajme Shqip Friday, 08 April 2011 06:54

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha theksoi rëndësinë e autostradës Tiranë-Elbasan, ndërsa i shprehu mirënjohjen Bankës Islamike për Zhvillim që ka financuar me 222.7 milionë dollarë këtë projekt të rëndësishëm në kuadër të Korridorit 8.

Sipas zyrës së shtypit te Kryeministrisë, Kryeministri Berisha priti sot në një takim Presidentin e Bankës Islamike për Zhvillim, Amad Mohammed Ali, i shoqëruar nga një ekip drejtuesish e ekspertësh të Bankës.

Gjatë takimit, Kryeministri shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe asistencën e Bankës Islamike për Zhvillim, për financimin e projekteve me rëndësi të madhe në fushën e transportit dhe të shëndetësisë në Shqipërinë si, projekti për rrugët dytësore dhe lokale, rrugën Kalimash-Rexhepaj, apo spitalet e Durrësit dhe Kavajës.

Kryeministri vlerësoi se financimi për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan është projekti më i madh i kësaj Banke në vendin tonë.

Berisha bëri një paraqitje të zhvillimeve në ekonominë shqiptare, reformave të suksesshme ekonomike dhe fiskale, që kanë krijuar një klimë tepër të favorshme për investimeve në shumë fusha, si dhe parashtroi potencialet e mëdha të Shqipërisë në fushën e transportit, energjisë, turizmit, bujqësisë etj.

Nga ana e tij, Presidenti Ali shprehu kënaqësinë që Banka Islamike për Zhvillim është e pranishme dhe kontribuese në projekte zhvillimore në Shqipërisë dhe ritheksoi impenjimin për angazhime të tjera serioze të këtyre përmasave, në të ardhmen.