Lajme Shqip Monday, 13 February 2012 16:22

Tiranë-  Ministri i Punëve Publike dhe Transportit Sokol Olldashi bëri të ditur se punimet për ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan parashikohet të mbyllen në pranverë të vitit 2013, ndërsa vuri në dukje se në tunel është kryer 50 % e punimeve.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të kontratës për ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan me grupin Actor dhe Copri, Olldashi theksoi se pas dy ditësh pritet që punimet të nisin në terren. Ministri vlerësoi ofertat e dy kompanive për ndërtimin e kësaj autostrade, që sipas tij siguruan një ulje të ndjeshme nga parashikimi i kontratës së vlerës e autostradës.

Fondet për ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan janë siguruar nga Banka Islamike për Zhvillim, Aby Dhabi dhe OPEC.

Avantazhet e një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore, autostradës Tiranë-Elbasan, pritet të jenë të shumta. Sipas ekspertëve, kjo rrugë do të kthejë qytetin e Elbasanit në një zonë shumë të zhvilluar, pasi përmes saj do të ketë fluks transaksionesh tregtare e që priten të arrihen brenda 2 vitesh.

Një tjetër impakt i pritshëm nga ndërtimi i rrugës Tiranë-Elbasan është ndikimi për zhvillimin sa më të shpejtë të parkut industrial.

Autostrada e re bashkon Elbasanin me Tiranën, i shndërron ato në një treg unik, ndër më të rëndësishmit në rajon. Autostrada e re shkurton mbi 50 minuta, në distancë e shpejtësi, rrugën drejt Elbasanit dhe kjo jo vetëm për qytetarët e Elbasanit, por edhe për qytetarët e Sarandës e Konispolit, Delvinës e Gjirokastrës, Tepelenës e Përmetit, Skraparit e Beratit, Gramshit, Kolonjës, Korçës, Pogradecit e Librazhdit, duke qenë ajo segmenti i parë e më i rëndësishmi i Boshtit të Jugut.

Ministria e Financave dhe Banka Islamike për Zhvillim (IDB) nënshkruan në fillim të muajit prill të vitit 2011  marrëveshjen e kredisë prej 222.7 milionë dollarësh për ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan.
Autostrada Tiranë – Elbasan, pjesë kryesore e Boshtit të Jugut, do të ketë një gjatësi prej 31.17 km, nga 55 km që është aktualisht dhe do të ndërtohet në kushte teknike për t’u përshkruar me një shpejtësi sa trefishi i asaj që është lejuar sot në këtë segment.
  

Rruga do të ketë katër korsi, e pajisur ndër të tjera me një numër të madh viaduktesh, 21 të tilla, 7 mbikalime dhe 4 nënkalime, me një numër të konsiderueshëm urash, disa prej tyre më të gjata se 400 metra.

Investimi më i rëndësishëm i saj është tuneli me një gjatësi prej rreth 2.4 km, i ngjashëm me tunelin e Bolzanos në Itali. Shpejtësia e udhëtimit do të variojë nga 100 në 120 km në orë. Por bashkë me këtë segment, qeveria ka në plan të mbyllë brenda 4 vitesh gjithë Boshtin rrugor të Jugut.

Punimet për ndërtimin e tunelit, pjesë e kësaj autostrade po kryhen nga kompania greke Actor. Në total e gjithë rruga parashikohet të kushtojë 290 milionë dollarë.