Lajme Shqip Wednesday, 04 May 2011 15:42

Tiranë – Ekonomia shqiptare do të vazhdojë të ruajë ritmet e rritjes edhe përgjatë tre mujorit të dytë të këtij viti.

Ekspertët e Bankës së Shqipërisë, në një takim me median, konfirmuan të mërkurën se kërkesa e jashtme, por dhe ajo e brendshme, do të vazhdojnë të japin kontribut kryesor në zhvillimin e ekonomisë.

Sipas BSH-së, aktiviteti ekonomik në vend, në tremujorin e katërt regjistroi një rritje prej 5.4% në terma vjetorë, duke ngushtuar ndjeshëm hendekun negativ të prodhimit. Rritja ekonomike u mbështet nga kërkesa e jashtme e nxitur pozitivisht nga rimëkëmbja e vazhduar e ekonomisë në nivel global.

Ndërkohë që, përshpejtimi i normës vjetore rritëse të PBB-së reale në tremujorin e katërt, u nxit nga rritja e kontributit pozitiv të degës së industrisë. Ndërkohë, vlera e shtuar e sektorit të shërbimeve dhe e sektorit bujqësor kontribuan pozitivisht, por në një masë më të ulët, në rritjen vjetore të PBB-së reale.

Të dhënat më të fundit për tremujorin e parë të vitit 2011 nga vrojtimet e besimit të biznesit, nga ecuria e aktivitetit tregtar me jashtë, dhe nga treguesit monetarë e fiskalë, mbështesin vijimin e rikuperimit të aktivitetit ekonomik vendas, kryesisht prej kontributit pozitiv të sektorit prodhues, poziviteti i të cilave do të vijojë edhe gjatë tre mujorit të ardhshëm.