Tiranë – Edhe pse zyrtarët më të lartë të Bankës së Shqipërisë dhe qeverisë kanë hedhur idenë për nevojën e një modeli të ri ekonomik, për autoritetet kjo nuk do të thotë se sistemi aktual nuk funksionon.
Sipas bankës së Shqipërisë, modeli i ri nuk do të aplikohet menjëherë, por parashikohet që të japë një alternativë të re për zhvillimin e vendit 10 apo 20 vitet e ardhshme.
Anëtari i bordit të Bankës Qendrore, Adrian Civici, sqaron se hapat e ndjekura deri më tani kanë rezultuar efikase, por nga ana tjetër duhet të merren masa për ndryshimet në të ardhmen.
Ndërsa ekspertët e ekonomisë mendojnë se resurset e këtij sistemi nuk mund të jenë të përhershme dhe për këtë arsye duhet një model tjetër. Në këtë kontekst, ata sugjerojnë që sistemi i ri duhet të përqendrohet në energjetikë dhe në bujqësi.
Ndonëse Guvernatori Fullani në një prononcim të ditëve të fundit foli për modelin e ri ekonomik, ai nuk dha detaje mbi rrugët që do të ndiqen për konkretizimin e këtij projekti.