Lajme Shqip Wednesday, 24 August 2011 11:36

Tiranë – Indeksi i çmimit të banesave shënoi një rritje vjetore prej 1.6% gjatë tremujorit të dytë të vitit 2011. Por, i korrektuar për efektin e kursit të këmbimit, indeksi i çmimit të banesave për kryeqytetin shënoi rënie me rreth 1.2% në terma nominalë  dhe rënie me rreth 5% në terma realë.

Indeksi i çmimeve të banesave është një tregues që llogaritet nga Banka e Shqipërisë. Sipas Bankës Qendrore vlerëson se zhvillimet në çmimet e banesave në tremujorin e dytë të vitit 2011, janë ndikuar nga një gjallërim i moderuar i ofertës dhe kërkesës.

Numri i lejeve të ndërtimit për banesa ka vijuar të rritet dhe përmirësimi i këtij treguesi për dy tremujorë rresht sinjalizon për rritje të ofertës së ardhshme. Lehtësimi në kushtet e kreditimit për blerje banese në gjashtëmujorin e parë të vitit 2011, tregon për një rritje të kërkesës, që mund të ketë shkaktuar rritjen e lehtë nominale të çmimeve në tremujorin e dytë të këtij viti. Indeksi i qirasë në përgjithësi ka shfaqur një luhatshmëri më të lartë gjatë 10 viteve të fundit krahasuar me indeksin e çmimeve.

Pas rënies me rreth 4.5% në tremujorin e parë të vitit 2011, indeksi i qirasë për Tiranën shënoi rënie me rreth 12.8% në terma vjetorë nominalë gjatë tremujorit të dytë. Në terma vjetorë realë, indeksi i qirasë shënoi rënie me rreth 16.2%.

Raporti i indeksit të çmimeve të banesave me atë të qirasë ishte rreth 16.4% më i lartë krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë. (LajmeShqip.com)