Lajme Shqip Wednesday, 16 March 2011 14:28

Tiranë – Enti Rregullator i Energjisë akuzon zyrtarisht CEZ Shpërndarje për veprime arbitare në dëm të konsumatorëve.

Në raportimin para Komisionit Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, Kryetari i Bordit, Bujar Nepravishta, tha se ERE është e pakënaqur nga performanca e CEZ Shpërndarje dhe sidomos nga abuzimet e kësaj shoqërie me konsumatorët. Masa aktuale e gjobave që Autoriteti Rregullator mund të vendosë ndaj operatorëve është simbolike, ndaj për këtë arsye ERE ka kërkuar edhe ndryshime ligjore.

“ CEZ Shpërndarje ka kryer veprime arbitrare ndaj konsumatorëve, veçanërisht në muajt nëntor dhe dhjetor të vitit të kaluar. Është faturuar energji e pamatur në masën 4 mijë këh për konsumatorët familjarë dhe 20 mijë këh për bizneset. Ne i kemi urdhëruar të anullojnë këto fatura dhe të kompensojnë përdoruesit që i kishin paguar ato,” tha zoti Nepravishta.

Ai bëri të ditur se për vitin 2010 Shqipëria shënoi një prodhim rekord të energjisë elektrike prej 7.7 miliard këh, nga të cilat 3 miliard këh u eksportuan. Korporata Elektronergjitike Shqiptare në vitin 2010 realizoi 16.4 miliard lekë të ardhura nga eksportet. Kryetari i ERE shpjegoi se 10% e kësaj shume u përdor në shërbim të konsumatorëve, duke ulur tarifat e energjisë të KESH për vitin 2011. Por nga ana tjetër, efiçenca e përdorimit të energjisë ngelet e ulët. Niveli i humbjeve në rrjet për vitin 2010 ishte 32%, nivel ende i lartë megjithëse në rënie krahasuar me vitin 2009, kur ishte 33.9%.