Lajme Shqip Wednesday, 11 May 2011 15:01

Tiranë – Banka e Shqipërisë ka miratuar dy udhëzime për mënyrën se si bankat e nivelit të dytë do të sigurojnë depozitat e qytetarëve shqiptarë, apo marrëdhëniet që Agjencia e Sigurimit të Depozitave do të ketë me bankat e siguruara.

Këto rregulla do të jenë të vlefshme jo vetëm për bankat, por edhe degët e bankave të huaja që veprojnë në Shqipëri. Udhëzimet kanë përcaktuar formularët e raportimit dhe detyrimet që kanë bankat për të raportuar në këtë agjenci. Bankat duhet të bëjnë transparencë edhe në lidhje me publikun, sa i përket plotësimit të detyrimit për sigurimin e depozitave, një prej të cilave është edhe vendosja e logove të ASD-së në vende të dukshme në ambientet e bankave.

 

Llogaritja

 

Çdo bankë e siguruar i paguan agjencisë primin vjetor të sigurimit të depozitës, që është 0,5 për qind e mesatares aritmetike të shumës së depozitave të siguruara që janë regjistruar në bankë, në fund të çdo dite pune të tremujorit të fundit të vitit të shkuar. Pagesa do të bëhet katër herë në vit, deri në datat 15 prill, 15 korrik, 15 tetor, 15 janar. Shkelja e këtyre afateve do të jetë subjekt i penaliteteve sipas ligjit nr.8873, datë 29.3.2002 “Për sigurimin e depozitave”, neni 26 “Përjashtimi dhe dënimi”. Depozitat e siguruara të çdo individi, mbi të cilat përcaktohet shuma “D” vlerësohen duke marrë në konsideratë situatat e mundshme sipas disa rasteve.

 

Rastet e mundshme

 

Rasti i parë: Depozituesi ka vetëm një depozitë individuale në lekë. Në qoftë se kjo depozitë është më e vogël, se 2 500 000 lekë, ajo sigurohet e plotë (përfshihet interesi ditor i llogaritur në ditën e vlerësimit të primit), në qoftë se është më e madhe se 2 500 000 lekë, sigurohet pjesa deri në nivelin 2 500 000 lekë.

Rasti i dytë: Depozituesi ka disa depozita individuale, të cilat janë në lekë dhe në monedhë të huaj. Depozitat në monedhë të huaj konvertohen në lekë sipas kursit fiks të Autoritetit Mbikëqyrës në ditën e vlerësimit, dhe më pas të gjitha depozitat agregohen. Shuma e gjetur nga agregimi, krahasohet me nivelin 2 500 000 lekë dhe sigurohet pjesa e depozitës deri në nivelin e mbulimit.

Rasti i tretë: Depozituesi ka disa depozita individuale dhe një ose më shumë depozita të përbashkëta. Në këtë rast agregimi përfshin të gjitha depozitat individuale duke shtuar edhe pjesën korresponduese të depozitës të përbashkët, e cila ndahet në pjesë të barabarta midis pronarëve të saj, përveç rasteve kur përcaktohet ndryshe në kushtet e vendosjes së depozitës. Për konkretizim, në rast se një depozitues ka një depozitë të përbashkët me një të afërmin e tij, një depozitë individuale dhe një tjetër të përbashkët me dy persona të tjerë ose më shumë, atëherë ky depozitues është disponues i gjysmës së shumës së depozitës që ka me të afërmin e tij, i depozitës individuale dhe i një të tretës ose më pak proporcionalisht, së depozitës së përbashkët me personat e tjerë, ato agregohen dhe sigurohet pjesa deri në 2 500 000 lekë.

Rasti i katërt: Depozituesi ka depozita të vendosura si garanci për një person të tretë. Në këtë rast pronësia i njihet titullarit të depozitës dhe kjo depozitë është e siguruar në momentin e lirimit nga detyrimi i garancisë. Në rast se titullari nuk arrin të lirohet nga detyrimi i garancisë, shuma e siguruar përfitohet nga personi i tretë, në favor të të cilit është vendosur garancia.

Rasti i pestë: Depozituesi ka depozitë të vendosur me kusht ose me afat në përfitim të një personi të tretë, të drejtat për sigurim të depozitës i njihen këtij të fundit, pas plotësimit të afatit ose kushtit përkatës. Në të kundërt, e drejta për sigurim i takon titullarit të depozitës. Në rastin e depozitës së vendosur në përfitim ose si garanci të më shumë se një personi të tretë, zbatohen rregullat e parashikuara për depozitat e përbashkëta.

Rasti i gjashtë: Depozituesi që ka statusin e kreditorit dhe të debitorit në lidhje me bankën, për agregimin e depozitave të tij merret në konsideratë shuma nga bashkimi i cilësive të kreditorit dhe debitorit në një të vetëm.

Kjo shumë krahasohet me 2 500 000 lekë dhe sigurohet pjesa deri në këtë nivel mbulimi.