Lajme Shqip Tuesday, 03 May 2011 08:13

Tiranë – Me qëllim nxitjen e mëtejshme të ndërmjetësimit në lekë të sistemit bankar, Banka e Shqipërisë ka vendosur të zerojë normën e interesit në euro dhe dollarë të rezervës së detyruar të bankave të nivelit të dytë.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi në mbledhjen e fundit të tij, të ulë në 0 (zero) për qind normën e remunerimit të komponentit në euro dhe të atij në usd të rezervës së detyruar. Ndërkohë, norma e remunerimit të komponentit në lekë të rezervës së detyruar mbetet e pandryshuar, në nivelin 70 për qind të normës bazë të interesit të marrëveshjeve të riblerjes dhe të atyre anasjelltas të riblerjes.

Sipas Bankës Qendrore, ndryshimi i mësipërm në politikën e rezervës së detyruar do të thotë që Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të aplikojë të njëjtat norma të rezervës së detyruar (10% për të gjitha monedhat), por nuk do të paguajë interes mbi komponentin në euro dhe dollar të kësaj rezerve. Vendimi në fjalë, sipas Bankës së Shqipërisë, i shërben të vetmit qëllim, nxitjes së mëtejshme të ndërmjetësimit në lekë të sistemit bankar. Në këtë mënyrë, ai do të ndikojë në rritjen e efektivitetit të politikës monetare, si dhe në kufizimin e pasojave të padëshiruara për sistemin financiar dhe për ekonominë që mund të vijnë si rrjedhojë e përdorimit të valutës.

Rezerva e detyruar është një instrument të cilin Banka e Shqipërisë e përdor për të rregulluar aktivitetin në tregun ndërbankar, për të administruar normat e interesit në të, si dhe për të kontrolluar qarkullimin e parasë në ekonomi. Norma e rezervës së detyruar është 10 për qind për depozitat e mbajtura në të gjitha monedhat. Kjo do të thotë se bankat e nivelit të dytë duhet të depozitojnë, në formën e rezervës së detyruar, pranë Bankës së Shqipërisë 10 për qind të vlerës së depozitave të marra nga klientët e tyre.

Banka e Shqipërisë mund të paguajë interes për rezervën e detyruar të depozituar pranë saj nga bankat e nivelit të dytë. Në gjuhën teknike, norma e interesit që Banka e Shqipërisë u paguan bankave për rezervën e detyruar, quhet normë e remunerimit. Vendimi i Këshillit Mbikëqyrës e ul në zero normën e remunerimit për rezervat e detyruara të mbajtura në monedhe të huaj. Ai nuk prek normën e rezervës së detyruar, e cila mbetet në 10 për qind për të gjitha monedhat.