Lajme Shqip Wednesday, 20 April 2011 12:40

Tiranë – Gjendja e bankave të veçanta duhet monitoruar me kujdes dhe një pjesë e tyre kanë nevojë për të shtuar kapitalin. Banka e Shqipërisë prezantoi sot për mediat, pa praninë e kamerave, Raportin e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2010.

Ndonëse ekspertët e Bankës Qendrore theksuan edhe njëherë se sistemi bankar është i qëndrueshëm, banka të veçanta duhet të rrisin kapitalin, për t’i bërë ballë çdo goditjeje të mundshme në të ardhmen.

Sipas ekspertëve, bëhet fjalë për banka që në total zënë një pjesë më të vogël se 10% të aktiveve të sistemit bankar dhe për të cilat raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit është shumë afër minimumit rregullator prej 12% të përcaktuar nga Banka e Shqipërisë.

Nga testet e rezistencës të zhvilluara ka rezultuar se sistemi bankar në përgjithësi është në gjendje t’ju rezitojë goditjeve të mundshme, me përjashtim të disa prej bankave të sipërpërmendura.

Rreziku kryesor, sipas Bankës së Shqipërisë, ngelet rreziku i kredisë, i ndërthurrur me rreziqet e tërthorta të kursit të këmbimit dhe të ndryshimeve të normave të interesit. Ekspertët theksuan se normat referuese të interesit në tregun e brendshëm dhe në tregjet e huaja janë në minimumet historike dhe ka pritshmëri për rritjen e tyre në të ardhmen.

Kjo duhet t’i bëjë individët dhe bizneset të kujdesshme në vendimet për të marrë kredi, veçanërisht për kredi afatgjata.