Lajme Shqip Friday, 05 August 2011 14:45

Tiranë – Interesat e Bonove të Thesarit kanë ndalur rritjen. Në ankandin e  zhvilluar këtë javë, Bonot me afat maturimi 12-mujor u emetuan me një normë të ponderuar interesi prej 7.69%, po aq sa në ankandin e mëparshëm.

Vlera e Bonove të emetuara ishte 5.7 miliardë lekë dhe oferta për financim 6.2 miliardë. Ndërsa Bonot me afat maturimi 3 mujor u emetuan me një normë të ponderuar interesi prej 5.61%, nga 5.74% që ishte në ankandin paraardhës. Vlera e borxhit të marrë ishte 3.6 miliard lekë, nga të cilat 2.9 u financuan nga Banka e Shqipërisë me ofertë jo konkurruese.

Ajo që bie në sy është se shuma e borxhit të marrë nga qeveria ishte ndjeshëm më e ulët krahasuar me ankandet e muajve të fundit. Kjo duket se është arsyeja kryesore që ka sjellë ulje të interesave. Pas shpenzimeve të mëdha në gjysmën e parë të vitit, qeveria vendosi të rishikonte buxhetin, me qëllim mbajtjen nën kontroll të defiçitit buxhetor.

Shpenzimet për vitin 2011 u shkurtuan me rreth 19 miliard lekë. Qeveria do të kërkojë më pak borxh në gjysmën e dytë të vitit dhe kjo pritet që të sjellë ulje të interesave të Bonove, në kushtet kur sistemi bankar zotëron likuiditete në sasi të madhe. Një tendencë në rënie e interesit të Bonove të Thesarit do të ndikojë në interesa më të ulëta për kreditë afatgjata në lekë, veçanërisht për kreditë me qëllim blerjen e pasurive të paluajtshme. (LajmeShqip.com)