Lajme Shqip Sunday, 10 April 2011 08:26

Tiranë – Rreth 55 % e biznesit në shkallë vendi është pajisur me kasa fiskale.

Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, është fiskalizuar pjesa më e madhe e biznesit. Deri tani, theksuan burimet, rezultojnë 56 000 kasa të vendosura, të cilat kanë ndikuar në formalizimin dhe vetëdeklarimin e të ardhurave.

Fiskalizimi është konsideruar edhe një nga reformat më të rëndësishme të Tatimeve. Drejtues të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve kanë theksuar se do të vijohet deri në fiskalizimin e plotë të ekonomisë.

Rritja e ndërgjegjësimit të bizneseve për të vendosur kasë fiskale nga ana e Tatimeve është kryer edhe përmes kontrolleve në terren të inspektorëve, të cilët kanë aplikuar edhe masa administrative si gjoba për ata që nuk kanë vendosur ende kasën fiskale.

Ndërkaq, për t’i nxitur edhe më shumë bizneset që të vendosin kasat fiskale, së fundi i janë bërë edhe disa ndryshime Ligjit për procedurat tatimore duke rritur vlerën e gjobave për ata që nuk kanë respektuar ligjin.