Lajme Shqip Tuesday, 24 May 2011 11:48

Tiranë – Shqipëria, vend me tokë bujqësore më të pakët për frymë në Evropë, ka potenciale të jashtëzakonshme, tha sot kryeministri Sali Berisha.

I pranishëm në një konferencë për Ditën e Tokës, Kryeministri Berisha përshëndeti punimet e Asamblesë Globale të Anëtarëve të “International Land Coalition”, në Hotel Tirana.

Kryeministri në fjalën e tij garantoi s’e “qeveria do të vijojë me një sërë projektesh për mbrojtjen e tokës.

Duke paraqitur edhe dy projektet e qeverisë për mbjelljen e ullinjve dhe arrorëve, kryeministri Berisha theksoi se është me rëndësi të shfrytëzohet çdo metër katror sipërfaqe toke.

Pasi u ndal në projektin e arrorëve Berisha deklaroi s’e qeveria ka vendosur të financojë fermerët që do të mbjellin rrënjët e ullinjve dhe ky fond i dhënë po shumëfishohet nga vetë fermerët dhe qytetarët.

Kreu i qeverisë, pohoi se toka ka pësuar dëme për shkak të ndërtimeve pa kriter, të cilat janë të pranishme nga jugu në veri, por duhen bërë përpjekje që të orientohet për mundësitë që janë më të mëdha për vendin.

Kryeministri nënvizoi se Shqipëria do të bëjë përpjekje për të mundësuar që burimet e pafundme, që mbart toka, të shndërrohen në vlera për komunitetin.

Punimet e seminarit të sotëm, në kuadër të Ditës së Tokës, po vijojnë akoma në nivel teknik.