Lajme Shqip Wednesday, 13 July 2011 12:12

Tiranë – Komisioni Evropian ka finalizuar një plan për mbështetje financiare lidhur me reformat në zbatim në Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë, Kroaci, Islandë, ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Serbi, Turqi, si dhe në Kosovë, për periudhën kohore 2011-2013.

Plani i quajtur “Dokumenti Planifikues i Indikuesit Shumëvjeçar”, (MIPD), paraqet në vija të përgjithshme një strategji të rishikuar për financimin përmes Instrumenteve të BE-së për Asistencë Paraanëtarësuese, (IPA).

Fondi që i është akorduar Shqipërisë është rreth 257 milionë euro. Ky fond do t`i akordohet vendit tonë për reformat në sektorin e gjyqësorit, në administratën publike, për thellimin e bashkëpunimit rajonal, për të luftuar krimin e organizuar e korrupsionin dhe në fusha të tjera.

“Fondet duhet të jenë në rolin e një katalizatori për nxitjen e reformave në vendet e zgjerimit dhe të mbështesin vendet përgjatë rrugës së tyre të integrimit evropian. Ndihma e BE-së do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në jetën e përditshme të qytetarëve të thjeshtë duke kontribuar në përmirësimin e rendit ligjor, qeverisjes, kushteve dhe gjendjes sociale dhe perspektivave ekonomike, veçanërisht e rëndësishme duke marrë në konsideratë faktin se një numër shtetesh në rajon po rimëkëmben nga një krizë ekonomike”, deklaroi Komisioneri Evropian për Zgjerim dhe Politikat e Fqinjësisë, Stefan Füle.

Financimet do të fokusohen në sektorë si: reformimi i gjyqësorit dhe administratës publike, forcimin e bashkëpunimit rajonal në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në ndërtimit e një shoqërie civile dinamike, me theksimin e reformave dhe bashkëpunimit rajonal e në arsim, po ashtu edhe në stimulimin e një rimëkëmbjeje të qëndrueshme nga kriza ekonomike përmes investimeve në projekte strategjike të infrastrukturës.

Komisioni Evropian ka ndërmarrë një numër të konsiderueshëm hapash gjatë viteve të fundit për të forcuar ndërlidhjet mes prioriteteve të përcaktuara në strategjinë e zgjerimit të BE-së, Progres Raportit të Komisionit Evropian dhe programit të ndihmës “IPA”.

Me këtë synim, në considerate, Komisioni Evropian ka ndërmarrë planifikim-ndihmë paraanëtarësuese në bazë sektoriale (për sektorë të ndryshëm). Sektorëve që u është dhënë vëmendje e posaçme në vendet e ndryshme përfituese përfshihen zhvillimi i sektorit privat, transporti, ambienti, ndryshimin klimatik dhe energjetik, zhvillimin bujqësor dhe rural.

Rreth 10 për qind të fondeve të disponueshme të “IPA” do të përdoren për të forcuar marrëdhëniet e shumëfishta me Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, në fusha të përcaktuara si thelbësore për integrimin evropian dhe stabilitetin në rajonin ku ekziston një nevojë e qartë për bashkëpunim rajonal, zgjidhje të problemeve të kalimit ndërkufitar, arritje të një eficience më të madhe përmes një bashkëpunimi më të ngushtë, me thjeshtësimin e mekanizmave ekzistuese dhe thejtësimin e rrjetit të ekspertëve. Fondet në dispozicion për këtë arrijnë një total prej 521 milionë eurosh për periudhën 2011-’13.