Lajme Shqip Friday, 26 August 2011 15:07

Tiranë – Bashkia bëri të ditur se ka evidentuar spekulime me çmimet nga shumë subjekte tregtare në Tiranë. Sipas nënkryetarit, Edmond Panariti, nga kontrollet e ushtruara kanë rezultuar diferenca mes çmimeve të shpallura dhe atyre që realisht ju faturohen blerësve.

“Bashkia u ka kërkuar këtyre subjekteve që brenda muajit Gusht të rakordojnë çmimet e shpallura për mallrat dhe shërbimet me faturat që ju lëshojnë konsumatorëve. Në të kundërt, nëse nuk respektohet ky afat, këta operatorë do të përballen me sanksione të parashikuara në ligj. Gjithashtu, Bashkia do të bëjë shpalljen e menjëhershme publike të këtyre njësive dhe personave përgjegjës për këtë sjellje në dëm të konsumatorit,” tha Panariti.

Gjithashtu, Bashkia ka konstatuar shkelje të shumta edhe në kushtet e tregtimit të lëndëve të rrezikshme. Janë gjetur rreth 20 subjekte që tregtojnë bobola gazi pranë artikujve ushqimorë dhe 24 subjekte, kryesisht tregtarë ambulantë, që tregtojnë helme dhe pesticide në mjedise të pasigurta dhe jashtë kontrollit. Nëse tregtarët e mësipërm nuk e ndërpresin ushtrimin e parregullt të aktivitetit brenda datës 1 Shtator, Bashkia Tiranë ka bërë të ditur se do të ndërmarrë masa ligjore. (LajmeShqip.com)