Lajme Shqip Tuesday, 24 May 2011 14:10

Tiranë – Shoqata Shqiptare e Turizmit (ATA) e cilëson krizën aktuale politike në vend si një faktor që e ka dëmtuar imazhin e Shqipërisë dhe ka sjellë destabilitet të plotë me partnerët turistikë.

Gjatë konferencës, organizuar paraditen e sotme në Hotel “Tirana International”, me subjekt apelin ndaj politikës dhe shoqërisë shqiptare, Presidenti i ATA, Enver Mehmeti, ka kërkuar ndaj subjekteve politike që të vendosin interesat e zhvillimit të Shqipërisë mbi interesat partiake.

“Ajo çfarë ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë po dëmton imazhin turistik të Shqipërisë jo vetëm për momentin, por rrezik ta dëmtojë atë për vite me radhë në të ardhmen dhe për këtë i bëjmë thirrje të gjitha palëve, pasi të gjithë janë përgjegjës njëkohësisht”, tha Mehmeti.

Produkti turistik është i lidhur me imazhin dhe për të përmirësuar këtë të fundit, Presidenti i ATA-s e cilësoi rolin e medies si një nga faktorët më të rëndësishëm dhe kërkoi prej tyre pasqyrimin e resurseve turistike.

Gjatë konferencës u cilësua se problemi më i madh qëndron tek turistët evropianë, tek të cilët ndikimi i imazhit të Shqipërisë është më i prekshëm.

ATA ka bërë apel për një imazh të qëndrueshëm të Shqipërisë, me standarde të larta dhe reflektim cilësor të protestave.

Në konferencën për shtyp, u përmend edhe rasti i shteteve si Greqia dhe Spanja, të cilat edhe pse kanë zhvilluar protesta vazhdimisht, niveli i tyre turistik nuk ka rënë. Në lidhje me këtë, drejtuesit e ATA-s u shprehën se këto vende kanë një imazh të krijuar prej kohësh që është e vështirë të prishet, ndërkohë që Shqipëria ka një imazh të brishtë, të cilin duhet ta ndërtojë.

Shoqata Shqiptare e Turizmit përfaqëson zërin e bashkuar të industrisë së turizmit. Ajo ka rreth 300 anëtarë biznese dhe misioni i saj është të bashkojë resurset e bizneseve turistike në mbrojtje të interesave të sektorit privat të turizmit. ATA kontribuon me 1.2 miliard euro në ekonomi, 43% të eksporteve dhe 14.7 të PBB-së.