Lajme Shqip Wednesday, 06 April 2011 12:08

Tiranë – Diskutimi për projektligjin për amnistinë fiskale nisi sot mes debatesh të ashpra mes opozitës e shumicës në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë.
Menjëherë pas zhvillimit të seancës dëgjimore me Kryetarin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, kryetari i komisionit Edmnd Spaho kërkoi nga anëtarët nisjen e diskutimit për këtë p/ligj.  
Por deputetët e opozitës u shprehën kundër dhe braktisën punimet e komisionit. Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Brace theksoi se ky p/ligj nuk është në rendin e ditës dhe është dërguar me urgjencë në Komision vetëm për efekt fushate elektorale në prag të zgjedhjeve vendore. 
“Kjo duhet të ishte një seancë dëgjimore mbi ligjin, jo diskutimi, pasi p/ligji për Amnistinë nuk është në rendin e ditës dhe kalendarin e punimeve. Po veproni në kundërshtim me rregulloren, e sillni me urgjencë amnistinë, por mos të harrojmë se ky ligj nuk është ligj fushate, por do sjellë efekte në ekonomi, ndaj të kishim dëgjuar dhe grupet e interesit”, tha Braçe. 
Edhe nënkryetarja e komisionit të Ekonomisë Mimi Kodheli u shpreh kundër nisjes së diskutimit të p/ligjit. “Projektligji mberriti vetëm dje dhe është jashtë logjike të diskutojmë sot kur ky ligj kërkon kalendar të vecantë. Mos harroni se po flasim për miliona para”, tha Kodheli. 
Më herët, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Nikolin Jaka paraqiti qëndrimin e komunitetit të biznesit lidhur me këtë p/ligj. Ai vlerësoi p/ligjin për amnistinë fiskale, por kërkoi rishikimin e disa tarifave të përcaktuara nga ministria e Financave për aplikimin e amnistisë fiskale.
“Ne kërkojmë rishikimin e disa tarifave pasi janë shumë të larta”, tha Jaka ndërsa paraqiti një sërë propozimesh dhe kërkoi miratimin e tyre nga komisioni i Ekonomisë.
Ai u u shpreh se “tarifat për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme për sipërmarrjen nuk duhet të jenë më shumë se 3%, ndërsa në p/ligjin e qeverisë kjo tarifë parashikohet 6 %”.
Jaka tha se, “tarifat për rivlerësimin e pajisjeve dhe makinerive kërkojmë të jenë jo më shumë se 5%, ndërsa tarifa për vlerësimin e emrit dhe markës së kompanive në treg jo më shumë se 2% e vlerës së plotë”. 
Ai kërkoi që në p/ligj të parashikohet që në të gjitha rastet për subjektet që përfitojnë nga ky ligj organet e specializuara të hetimit nuk mund të fillojnë ndjekjen penale duke u bazuar nga deklarimet vullnetare sipas këtij ligji. “Ne propozojme që në këto raste organet e specializuara të hetimit të kenë detyrimin dhe përgjegjësinë për mbledhjen e provave dhe dokumenteve lidhur me ngritjen e akuzave dhe argumentimin e tyre në Gjykatë”, tha Jaka.
Jaka paraqiti edhe disa propozime lidhur me deklarimin vullnetar të detyrimit tatimor dhe me pagesën vullnetare sipas qarkullimit tregtar.
Kryetari i Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, Edmond Spaho vlerësoi propozimet e Dhomës dhe u shpreh se Komisioni është gati t’i diskutojë me përfaqësuesit e Ministrisë së Financave, strukturës që ka përgatitur draft-ligjin për “Legalizimin e Kapitalit dhe Faljen Pjesore te Detyrimeve Tatimore dhe Doganore”.