Lajme Shqip Monday, 09 May 2011 14:03

Tiranë – AMC raporton rënie të të ardhurave dhe fitimeve. Sipas rezultateve të tremujorit të parë të këtij viti, të ardhurat e AMC kanë rënë në 33.83 milion dollarë, 18.5% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Treguesi EBITDA, që mat fitimin e kompanisë para taksave, interesit, amortizimit dhe zhvlerësimit ra në 13.06 milion dollarë, me një rënie prej 29.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një vit më parë. Norma e fitimit ra në 38.6%, 5.8% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2010.

Rënia e të ardhurave dhe e fitimeve të AMC ka ardhur njëkohësisht si rrjedhojë e rregullimit të tarifave me shumicë dhe pakicë nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, por sidomos si rrjedhojë e ashpërsimit të konkurrencës në treg.

Në dy vitet e fundit, fitimet e kompanive celulare paraqiten në rënie dhe këto rezultate të fundit dëshmojnë edhe njëherë se ky treg nuk është më një parajsë fitimesh të lehta.

Rënia e fitimeve në sektorin historikisht më fitimprurës të ekonomisë është një tregues i qartë se tregu në Shqipëri po hyn në një fazë pjekurie. Por, mbi të gjitha, kjo dëshmon se konkurrenca është mjeti më efikas për të rregulluar tregjet dhe për të ulur normat e fitimit.

Rritja e taksave në një moment të tillë është jo vetëm e panevojshme, por me shumë mundësi do të rezultonte edhe e dëmshme për ekonominë e vendit.