Lajme Shqip Tuesday, 10 May 2011 12:04

Tiranë – Portabiliteti i numrit i ka dhënë një shtysë të re konkurrencës. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) bën të ditur se shërbimi i portabilitetit të numrit ka ngjallur që në fillim shumë interes te qytetarët dhe në vetëm një javë është bërë portimi i 80 numrave ndërmjet rrjeteve të ndryshme celulare, ndërkohë që tendenca paraqitet në rritje të fortë gjatë ditëve të fundit.

“Ndryshe nga vendet e tjera, portabiliteti në Shqipëri është pritur menjëherë me shumë interes nga përdoruesit. Ky shërbim ka nisur të përdoret me ritme të kënaqshme. Në rreth një javë, është kryer portimi i 80 numrave ndërmjet rrjeteve të ndryshme. Në ditët e fundit, prirja është në rritje dhe gjatë kësaj jave janë kryer mesatarisht 30 portime numrash në ditë”, thotë Gazmir Isakaj, shef kabineti i kryetarit të AKEP.

AKEP bën të ditur se operatorët celularë kanë paraqitur plane të reja tarifore për të tërhequr më shumë abonentë nga rrjetet e tjera dhe për të mbajtur ata ekzistues. Tregu i telefonisë celulare po lëvizë gjithnjë e më shumë drejt vetërregullimit, ashtu si gjithë mjedisi ekonomik shqiptar, ndaj rritja e ngarkesës fiskale vetëm rrezikon të dëmtojë një proces që po rrjedh natyrshëm.