Lajme Shqip Wednesday, 06 July 2011 14:20

Tiranë – Sistemi bankar shqiptar për vitin 2010 u rrit me ritme më të larta. Banka e Shqipërisë publikoi raportin vjetor ku, sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2010, sistemi bankar ka prezantuar rritje të totalit të aktiveve me rreth 104.3 miliardë lekë ose me rreth 12%, duke treguar një përshpejtim të ritmit, kundrejt rritjes prej rreth 7% gjatë vitit 2009.

Sipas Bankës së Shqipërisë, sektori bankar vijon të mbetet aktori kryesor i ndërmjetësimit financiar në Shqipëri. Në fund të vitit 2010, aktivet e tij përfaqësojnë rreth 81% të Produktit të Brendshëm Bruto. Struktura e aktivit të sistemit bankar vijon të financohet kryesisht nga depozitat e publikut dhe të jetë i përqendruar në aktivitetin e kredidhënies, i cili është i orientuar kryesisht drejt financimit të sektorit privat.

Në fund të vitit 2010, portofoli i kredisë përbënte rreth 49% të totalit të aktiveve të sektorit bankar. Si rezultat, veprimtaria bankare ka vijuar të thellojë shkallën e ndërmjetësimit në ekonomi gjatë vitit 2010. Ky ndërmjetësim, duke iu referuar rritjes së totalit të aktiveve të sistemit bankar ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto, ka shënuar një rritje prej 3.5 pikë përqindje gjatë vitit 2010, kundrejt rritjes prej 0.8 pikë përqindje të vitit 2009. Investimet e sistemit bankar, në këndvështrimin e kredive, ndonëse regjistrojnë ritme më të ulëta rritjeje krahasuar me periudhat e mëparshme, prezantohen me prirje rritëse në terma vjetorë.

Përkundrejt ritmeve të larta të rritjes së peshës së aktivitetit kredidhënës të sektorit bankar ndaj totalit të aktiveve, gjatë dy viteve të fundit është regjistruar një ngadalësim i këtij ritmi rritës.

Më konkretisht, niveli i kreditimit të ekonomisë është rritur me 9.07%, ku rritja më e madhe është përqendruar në tremujorin e fundit të vitit. Perceptimi i një rreziku më të lartë në aktivitetin kreditues është shoqëruar me prirjen e bankave për të rritur vendosjet në institucionet e tjera financiare, kryesisht ato të huaja. Megjithatë, Banka e Shqipërisë vlerëson se ky ngadalësim në prirjen rritëse të kredisë, është i përkohshëm. (LajmeShqip.com)