Lajme Shqip Thursday, 17 November 2011 18:45

Thaçi: Nuk do të ndërpritet apo ngadalësohen punimet në autostradën Vërmicë-Merdar

Prishtinë – Nuk do të ndodh as ndërprerja dhe as ngadalësimi i punëve në autostradën Vërmicë-Merdar, tha sot kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, në kuadër të diskutimeve për miratimin e Buxhetit të Kosovës për vitin 2012, kryeministri Thaçi i është përgjigjur disa ideve për ndërprerjen apo ngadalësimin e punimeve në ndërtimin e autostradës Vërmicë-Merdar.

“Dëshiroj të theksoj se nuk do të ndodh asnjëra e as tjetra, nuk do të ndodh as ndërprerja, e as ngadalësimi i punëve, me arsyetimin tuaj se me ndërtimin e autostradës nuk ka zhvillim, dhe me pretendimin tjetër se duhet të shpërndahen mjetet në drejtime të tjera ndërtuese dhe zhvilluese”, theksoi kryeministri Thaçi.

Duke shprehur besimin se vazhdimi me intensitetin e planifikuar të ndërtimit të autostradës Vërmicë-Merdar është zhvillim, kryeministri Thaçi ka theksuar se vetëm me ndërtimin e autostradave dhe implementimin e projekteve të tilla moderne Republika e Kosovës do të ketë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.