Lajme Shqip Wednesday, 22 February 2012 17:30

New York – Çmimet e naftës në bursat aziatike sot qëndruan në 106 dollarë për fuçi, për shkak të druajtjes së rritur se konflikti rreth programit bërthamor të Iranit mund të sjell deri tek ndërprerja e dërgesës së naftës iraniane.

Nafta për dërgesë të afatizuar në prill në bursën njujorkeze shënoi rënie prej 14 centëve, në 106,11 dollarë për barel, pas rritjes së djeshme prej 2,65 dollarëve në 106,25 dollarë për barel. Nafta evropiane “brent” në bursën londineze qëndroi në nivelin prej 121,66 dollarëve për barel.

Nafta u shtrenjtua në krahasim me nivelin prej 96 dollarëve për fuçi, në të cilën ndodhej në fillim të muajit, e nxitur nga tensionet e rritura mes Perëndimit dhe Iranit.

Gjenerali iranian Mohamed Hejazi dje paralajmëroi se vendi i tij është i gatshëm të ndërmerr sulme preventive kundër cilit do vend armik të Iranit. Deklarata e tij vijoi pas kumtesës se Irani fillon stërvitje ushtarake për mbrojtjen e lokacioneve bërthamore dhe lokacioneve tjera të ndjeshme, që konsiderohet si porosi deri te Izraeli dhe SHBA-ja se Teherani është i gatshëm ta mbrojë veten dhe t’u kundërpërgjigjet në rast të sulmit të armatosur.

Irani gjatë fundjavës kumtoi se do ta ndërpresë dërgesën e naftës në Britaninë e Madhe dhe në Francë si përgjigje për embargon mbi Teheranin, të cilin e paralajmëroi Bashkimi Evropian.

Megjithatë, kjo ndalesë iraniane ka vetëm rëndësi simbolike, sepse Britania e Madhe dhe Franca pothuajse nuk transportojnë naftë iraniane. Por, ky aksion hap mundësi që Irani, i cili prodhon rreth katër milionë barel naftë në një ditë të ndërmerr masa të rrepta ndaj vendeve të tjera anëtare të BE-së, të cilat blejnë sasi më të mëdha të naftës iraniane.

“Ndalimi i eksportit prej katër milion barelëve në ditë do të rrisë çmimin e naftës të paktën 130 dollarë për fuçi, paralajmëroi analisti Karl Lari, duke theksuar se në rast të ndalesë më të gjatë të eksportit në periudhë të gjatë prej një muaji “ari i zi” do të shtrenjtohet në 150 dollar për barel.