Tiranë – Çmimi i teksteve shkollore është shumë i ulët, deklaron Shoqata e Botuesve të Librit Shkollor.
Kryetari i shoqatës, Latif Ajrullai, shprehet i shqetësuar për TVSH-në. “Shteti deklaron se e ka hequr nga librat, ndërsa në praktikë botuesit janë të detyruar që librat t’i marrin nga shtypshkronjat me 20% TVSH, të cilën nuk kanë të drejtë ta rimbursojnë. Nëse nisemi nga fakti se çmimi i teksteve shkollore është shumë i ulët, atëherë TVSH prej 20% është e papërballueshme për botuesit. Kjo sidomos është shumë problematike për tekstet shkollore, sepse ato kanë çmime të caktuara nga Ministria e Arsimit, e cila këtë TVSH nuk e parashikon në formulën e çmimeve. Nga ana tjetër, kjo ka bërë që të favorizohen shtypshkronjat jashtë shtetit në dëm të shtypshkronjave vendase”, argumentoi Ajrullai.
Teksteve e reja për vitin e ardhshëm shkollor, kanë hyrë në procesin e miratimit. Ministria e Arsimit ka shpallur kërkesën për tekste për vitin shkollor 2012-2013 dhe ka ftuar shtëpitë botuese vendase ose të huaja, distributorë të tyre, të paraqesin variantet e tyre të teksteve për miratim dhe më pas të marrin pjesë në tregun konkurrues.
MASH ka deklaruar se reforma në botimin e teksteve shkollore, do t’i nënshtrohet përmirësimeve të mëtejshme. Paketa e re ligjore “Altertekst 2012-2013” do të sjellë ngushtimin e filtrit të tekstit për përmbajtjen. Komisioni i Vlerësimit do të bëjë një kualifikim më të mirë dhe se, vit pas viti, janë përmirësuar edhe kërkesat ndaj shtëpive botuese.
Deri tani ministria e ka mbajtur stabël çmimin e librave. Një tekst vitin e kaluar kushtoi 2-3 euro, ndërsa e gjithë paketa për arsimin fillor kushtoi 1 000 -1 200 lekë, ndërsa në shkollat e mesme paketa shkoi deri në 3 500 lekë.