Lajme Shqip Friday, 04 May 2012 11:30

Tiranë – Nëpërmjet kryqëzimit të të dhënave të regjistrave tatimorë, me rezultatet e kontrolleve, inspektorët tatimorë kanë zbuluar raste të shumta të evazionit fiskal.

Zyra e shtypit e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve bën të ditur se “tatimpagues me aktivitet në fushën e ndërtimit, nënkontraktor në këtë fushë, shoqëri transporti udhëtarësh, brenda dhe jashtë vendit, persona fizik që ushtrojnë profesionin e taksistit në vetura dhe furgona, u gjetën në shkelje të ligjit duke shmangur pagimin e detyrimeve tatimore”.

Janë rreth 234 evazionistë fiskalë të zbuluar nga Drejtoria e Hetimit Tatimor në DPT gjatë një aksioni të zhvilluar gjatë gjithë muajit Prill 2012.

Në 40 objekte të kontrolluara në rrethin e Tiranës, inspektorët tatimorë, grupet e inspektimit tatimore, në përbërje të të cilëve kishte inxhinierë ndërtimi që  disponon Administrata Tatimore, fotografuan dhe fiksuan gjendjen reale të objekteve në ndërtim dhe u krahasuan me deklarimet e bëra nga tatimpaguesit në regjistrat e Administratës Tatimore Rajonale.

Nga Investigimi i bërë u konstatua se kishte mungesë në dokumentacionet tekniko\ligjore të tatimpaguesve që kishin të bënin më preventivin e punimeve në objekte, librezat e masave, analizat e çmimeve, të cilat reflektoheshin qartë në raportimet e detyrimeve tatimore mujore.

Gjithashtu u konstatuan objekte në ndërtim informal të pa pajisura me NIPT sekondar, në të gjitha objektet, zhvillonin aktivitet rreth 150 nënkontraktor tatimpagues, të cilët po i nënshtrohen një analize të hollësishme të deklarimeve të tyre në regjistrat tatimorë, për shërbimet e ofruara mbi bazën të kontratave të lidhura me investitorët.

Tatimet po verifikojnë rreth 1.000 punonjës, që u evidentuan në momentet e kontrolleve, me deklarimet e tatimpaguesve nëpërmjet listëpagesave të kontributeve të sigurimeve shoqërore.

Gjatë muajve të fundit, në sektorin e Transportit, janë ushtruar 3.532 kontrolle dhe janë zbuluar  212 raste, për të cilët janë marrë dhe masat administrative, me një vlerë prej 12 milionë lekë, në tatimpagues që operojnë në fushën e transportit të udhëtarëve.

Këta tatimpagues janë penalizuar për mospërdorim të biletës tatimore të miratuar nga DPT, në transportin ndërkombëtar të udhëtarëve, duke bërë të mundur deklarime të rreme të vëllimeve të xhiros së realizuar nga këta tatimpagues. Tatimpaguesit e transportit ndërkombëtar në kundërshtim me aktet ligjore tatimore në fuqi prodhojnë dhe përdorin bileta të pamiratuara nga DPT, ose të dala jashtë qarkullimit.

Mosinstalimi dhe mospërdorimi i pajisjeve fiskale (taksimetër) në shërbimin taksi, në qytet dhe atë ndërqytetas, duke fshehur qartazi xhiron reale e cila duhet të deklarohej. Mosdeklarim i punëmarrësve, duke iu shmangur detyrimeve ligjore për deklarimin dhe pagimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore.

Metodologjia e re e kontrollit, ka bërë të mundur të përcaktohen edhe vlerat e faturave të prodhuara dhe të marra nga ana e tatimpaguesve, në mënyrë që të përllogaritet më saktë edhe këstet e tatimit mbi fitimin, ose ndryshimi i përgjegjësive tatimore për tatimpagues të cilët mundohen të mbajnë deklarimin e xhiros së tyre nën kufijtë e TVSH-së.

DPT saktëson se operacione te larmishme te kësaj natyre, do të vazhdojnë përgjatë gjithë muajve të vitit, kryesisht për sektorin e ndërtimit, veçanërisht në zonat bregdetare, ndërsa për sektorin e transportit, do të bëhen kontrolle në të gjitha akset kryesore kombëtare, duke aplikuar teknika të ndryshme kontrolli.

Rezultatet e kësaj pune, janë pjesë përbërëse e performancës pozitive në rritje të Administratës Tatimore, për luftën kundër evazionit fiskal dhe informalitetit, që ka rezultuar me një rritje në mbledhjen e të ardhurave, duke përmbushur targetin për muajin Prill, dhe duke mbledhur 360 milion lekë të ardhura më shumë se e njëjta periudhë e vitit te kaluar, gjithashtu duke përmbushur edhe targetin për TVSH-në, për 4-mujorin në masën 100.7%, dhe 121% për muajin Prill, si dhe realizimin në masën 99% për 4-mujorin, të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, në vlerë rreth 913 milion lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

“Administrata Tatimore, mbetet e vendosur, të përmirësojë më tepër punën në shërbim të tatimpaguesve, duke i adresuar ata, drejt përmbushjes së pagimit vullnetar dhe duke aplikuar forma të ndryshme kontrolli, që dekurajojnë tatimpagues të veçantë që abuzojnë me ligjin duke mos paguar detyrimet tatimore”, përfundon deklarata për mediat nga DPT.