Lajme Shqip Thursday, 31 March 2011 13:18

Tiranë – Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Ettore Sequi vlerësoi sot se një sistem trasnparent, i drejtë fiskal dhe një administratë e përgjegjshme dhe e kualifikuar janë elementë kyçë për zhvillimin ekonomik dhe integrimin e Shqipërisë.

Gjatë prezantimit të projektit të binjakëzimit “Mbështetje për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve të Shqipërisë” organizuar nga BE dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve Sequi u shpreh se “gadishmëria jonë e madhe për qeverisjen e mirë dhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë është e pandashme nga një sistem fiskal miqësor ndaj biznesit dhe përgjegjës”.

Duke vlerësuar reformat e ndërmarra deri tani nga qeveria, Sequi tha se”pa dyshim që ka akoma vend për përmirësime dhe çdo progres apo jo në këtë fushë do të reflektohet tek raporti i progresit i Komisionit Europian që do të jepet me 13 tetor”.

Ai vuri në dukje se performanca  e administratës tatimore është e rëndësishëm dhe ka të bëjë me një aspekt afatgjatë, duke qënë se Shqipëria pret të jetë pjesë e një tregu të madh të BE-së, ku rregullat e lojës njihen e respektohen. Në këtë drejtim ai vlerësoi se një pjesë e mirë e legjislaconit tatimor shqiptar është e bazuar në atë të BE-së.

Zëvendësministri i Financave Alfred Rrushaj tha se asistenca e BE-së ka ardhur në kohën e duhur. Sipas tij elementi thelbësor i programit qeverisës ka qënë dhe mbetet Shqipëria vendi i taksave të ulëta, ndaj dhe në harkun kohor të 5 viteve janë përgjysmuar një sërë taksash dhe janë thjeshtuar procedurat tatimore.

Rrushaj tha se në raportin e KE-së për Shqipërinë vlerësohet se “Shqipëria ende përballet me sfidat për harmonizimin e legjislacionit dhe kapacitetet administrative, por parashikohet që në periudhën afatmesme ka kapacitet et e mjaftueshme për të përmbushur objektivat në rast se mban këtë ritëm përpjekjesh”.

Pavarësisht sistemit të taskave, theksoi Rrushaj, gjithmonë ka një konflikt të mundshëm ndërmjet administratës tatimore dhe tatimpaguesit. Në kët drejtim ai vlerësoi se një adminsitratë e përgjegjshme dhe e kualifikuar është parakushti për suksesin e sistemit të taksave.

“Sfida jonë në fushën e tatimeve është jo vetëm harmonizimi i legjislacionit por edhe rritja e kapacitetit administrativ të stafit të tatimeve”, deklaroi Rrushaj.

Projekti i binjakëzimit “Mbështetje për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve të Shqipërisë”, është pjesë e programit IPA 2007 në ndihmë të institucioneve të vendeve që synojnë të bëhen anëtare të BE-së, si dhe një instrument kryesor për mbështetjen e Procesit të Stabilizim-Asociimit për vendet e mundshme anëtare.

Ky projekt me vlerë 2.2 milionë euro ka katër komponentë që kanë të bëjnë me harmonizimin e legjislacionit, procedurave dhe praktikave me standardet e BE, përshtatjen e porcedurave të auditit të brendshëm harmonizuar me standardet e BE, mbështetjen e departamentit të hetimit tatimor dhe përforcimin e një departamenti të teknologjisë së Informacionit.