Lajme Shqip Wednesday, 15 February 2012 17:00

Tiranë – Pas më shumë se një viti punë, ekspertët francezë si dhe ata shqiptarë kanë përfunduar draft ligjin për TVSH-në, sipas standardeve europiane.

Ligji për TVSH-në (Tatimi mbi Vlerën e Shtuar) i hartuar në vitin 1995 me ndryshimin dhe zhvillimin e tregut kishte hasur praktikisht në situata absurde të mostrajtimit si duhet të rasteve pasi kishte shumë mangësi. Shumë lloje aktivitetesh apo shërbimesh si shërbimet, faturimi elektronik, tatimi për mallrat e përdorur etj, nuk mund të trajtoheshin mbi bazën e atij ligji, fakt ky që detyronte administratën tatimore të nxirrte shkresa, udhëzime apo urdhra të posaçme, duke iu përmbajtur direktivave të Bashkimit Europian.

“Ishte pothuajse e pamundur të punohej, pasi nuk i trajtonte të gjitha llojet e aktiviteteve apo shërbimeve. Tashmë në të i gjen tëgjitha sqarimet”, thotë eksperti i fushës së TVSH, Artur Papajani.

Tashmë drafti, përmes një financimi prej 2 milionë eurosh nga Bashkimi Europian, ka përfunduar dhe pritet të diskutohet në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Tatimor, ku janë anëtarë disa përfaqësues nga sektorë të ndryshëm të biznesit. Edhe pse drafti ka përfunduar, mendohet që zbatimi i tij do të realizohet në fund të këtij viti, pasi ministria e Financave ka kërkuar që më parë të njihen të gjitha grupet e interesit.

Me mbi 150 nene, draftligji konsiderohet një hap përpara drejt BE-së dhe direktivave të saj për taksën e TVSH-së. Pas doganave me ligjin i ri “Për akcizat”, apo Kodit të ri Doganor, tashmë edhe tatimet po reformojnë sistemin e mbledhjes së TVSH-së. Ajo çfarë konsiderohet si risi ka të bëjë me trajtimin e furnizimit me shërbime, apo me shitjen e mallrave të përdorura, të cilat nuk prekeshin me ligjin e vjetër.

Ky ligj trajton për herë të parë furnizimin e shërbimit, që nënkupton çdo furnizim që nuk është furnizim mallrash, përveç rasteve që në këtë ligj përcaktohet ndryshe. Furnizimi i shërbimit konsiderohet i kryer kundrejt pagesës, tërësisht ose pjesërisht, nëse furnizuesi direkt a indirekt merr apo ka të drejtë të marrë pagesë në para a në natyrë, për atë furnizim, si prej personit të furnizuar apo ndonjë personi tjetër.

Mallrat e përdorur konsiderohen një ndër çështjet më të debatuara mes biznesit dhe qeverisë, sidomos për sektorin e makinave. Ky treg, sikurse edhe të tjerët, nuk trajtoheshin fare, duke shkaktuar amulli në shumë biznese, kurse draftligji i ri ka pasqyruar rastet sesi do të veprohet, madje dhe marzhin e fitimit.

Tashmë në bazë të draftit të ri, marzhi i realizuar nga personi i tatueshëm është i barabartë me diferencën ndërmjet çmimit të shitjes të kërkuar nga personi i tatueshëm rishitës dhe çmimit të blerjes. Personat e tatueshëm rishitës, të cilët zbatojnë regjimin e marzhit, nuk duhet të llogarisin apo të pasqyrojnë të ndarë vlerën e TVSH-së në faturën e lëshuar.

Në çdo faturë të lëshuar që i nënshtrohet regjimit të marzhit, personi i tatueshëm rishitës duhet të shënojë: shitje që i nënshtrohet regjimit të marzhit të fitimit. Për çdo furnizim, për të cilin zbatohet regjimi i marzhit, personi i tatueshëm rishitës mund të zbatojë rregullat për TVSH-në si për çdo person tjetër të tatueshëm. Draftligji parashikon dhe TVSH-në për faturimin elektronik.

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, është taksa që nisi zbatimin për herë të parë në vitin 1996, me shkallë tatimore 12.5 për qind, kurse në vitin 1997 u bë 20 për qind dhe deri atëherë nuk ka lëvizur. Taksa që mban peshën kryesore në totalin e të ardhurave, gati 40 për qind, është taksa që identifikon forcën blerëse në vend, qarkullimin e mallrave dhe shërbimeve, nga kuptohet edhe niveli i konsumit.

Në vitin 2011 u mblodhën 119 miliardë lekë nga TVSH-ja, kur në vitin 2010 u mblodhen rreth 114 miliardë lekë. Në raport me vitin 2010, kemi një rritje me 4.6 për qind, të TVSH-së.