Lajme Shqip Thursday, 12 April 2012 13:30

Tiranë – Pranë zyrave të marrëdhënieve me konsumatorin në Ujësjellës Kanalizime Tiranë, prej tre ditësh kategoritë që e kanë paguar taksën e pastrimit prej 420 lekësh bashkë me faturën e ujit në muajt e parë të këtij viti, kanë filluar të përfitojnë nga vendimi që mori Bashkia e Tiranës në dhjetor të 2011.

Mbi bazë e tij, Ujësjellësi i Tiranës ka nisur procesin e kompensimit për taksën e pastrimit për 8 mijë familje të përjashtuara nga pagesa e saj.

Pranë sporteleve të zyrave të marrëdhënieve me konsumatorin në UKT janë drejtuar të gjithë ata pensionistë, veteranë, invalidë të luftës dhe të punës, përfituesit e ndihmës ekonomike, të verbrit, të sëmurët paraplegjikë dhe tetraplegjikë që i përkasin kategorive të përjashtuara.

Sipas Bashkisë së Tiranës, pranë zyrave te sheshi ‘Willson’, rruga ‘Mine Peza’, ‘Ali Demi’ dhe pranë Drejtorisë së Përgjithshme të UKT-së do të bëhet kompensimi për faturën e muajit janar.

Lista e emrave që do të kompensohen për taksën e pastrimit është hartuar nga Bashkia e Tiranës mbi bazën e dokumentacionit që kategoritë, të cilat nuk duhet ta shlyejnë këtë detyrim kanë dorëzuar pranë njësive bashkiake përkatëse.

Bashkia e Tiranës sqaron se, pranimi i dokumenteve që vërtetojnë se individi ose familja i përket kategorive që përjashtohen nga tarifa e pastrimit, do të vazhdojë pa u kufizuar në kohë dhe çdo përfitues do të kompensohet për paratë e paguara.