Lajme Shqip Friday, 23 March 2012 15:00

Tiranë-Kryetari i PS-së, Edi Rama, gjatë një takimi të premten me komunitetin e biznesit tha se programi i ri ekonomik i socialistëve synon taksim progresiv për të gjithë, rritje të punësimit dhe lehtësira të mëtejshme të klimës së biznesit.

Në fillim të fjalës së tij kreu i PS-së shprehu bindjen se pa një partneritet serioz me sipërmarrjen Shqipëria nuk mund të dalë nga kriza. “Besoj se një rilindje ekonomike fillon nga çlirimi i sipërmarrjes nga abuzimi politik me të, monopolizimi i mundësive dhe oportuniteteve dhe nga krijimi i kushteve për një konkurencë të hapur, të lirë e të ndershme, e cila është guri i themelit”, theksoi ai.

“Ne jemi të vendosur të ndryshojmë taksimin dhe të lehtësojmë barrën fiskale të qytetarit të zakonshëm, kush fiton më shumë paguan më shumë. Ne duam të ofrojmë një paketë çliruese për biznesin. Ne e dimë shumë mirë se situata ekonomike është e vështirë dhe shumë ndër ju e jetojnë këtë drejtpëdrejtë. Ne jemi të vetëdijshëm për kërcënimin që kriza ekonomike i bën biznesit shqiptar dhe kjo është e reflektuar në uljen e konsumit të të gjitha mallrave, mungesën e shitjeve në ndërtim, borxhet që ju kanë ngarkuar mospagesat, dhe sidomos ato të qeverisë, rritjen e borxheve ndaj bankave dhe rritjen e borxheve të këqija”, iu drejtua Rama përfaqësuesve të biznesit në takim.

Punësimi, tha ai, është një nga shtyllat e programit ekonomik të PS-së. “Punësim real përkundër rritjes së papunësisë në rrugën e rrënimit të mëtejshëm që ka hapur e po çon përpara kjo qeveri. Të flasësh sot për punësim real do të thotë të flasësh për partneritetin e qeverisë me sipërmarrjen. Angazhohem se ne do t’i heqim përfundimisht referencat, pasi sistemi aktual është mjet abuzimi politik”, theksoi kreu i opozitës.

Sipas tij, PS ka përcaktuar se politikat fiskale duhet te jenë në shërbim të drejtësisë sociale. “Duam ta ndryshojmë rrënjësisht sistemin fiskal, që kush është më i pasur të ketë një barrë fiskale më të lartë, duke kaluar në taksimin progresiv për të gjithë”, tha ai. Rama garantoi një konkurencë të lirë dhe të ndershme, e cila sipas tij do mbështetet me krijimin e një administrate publike që të bazohet në meritë dhe në procedura të standardeve europiane, duke kërkuar ndarjen nga nepotizmi dhe klientelizmi. (LajmeShqip.com)