Lajme Shqip Monday, 09 May 2011 11:04

Stamboll – Në Stamboll sot u hap konferenca pesëditore nën patronatin e KB-së, që ka për qëllim ta stimulojë zhvillimin e vendeve më të varfëra në botë, kumtoi televizioni i Turqisë CNN-Turk.

Konferenca e katërt e KB-së për shtetet më dobët të zhvilluara do të merret me problemet e rreth 50 vendeve, kryesisht nga Afrika, të cilat janë të kapluara nga parregullsia, sëmundjet, problemet ekonomike dhe katastrofat natyrore.

Konferencën do ta udhëheqë sekretari i përgjithshëm i KB-së, Ban Ki-Mun. Në të do të marrin pjesë shefat e shteteve dhe qeverive, ministra, parlamentarë, përfaqësues të sektorit private, bota akademike dhe shoqëria civile nga 192 shtete.

Forumi do të tubojë gjithsejt rreth 10.000 persona. Midis pjesëmarrësve janë edhe kryetari i Komisionit evropian, Zhoze Manuel Barozo, presidenti i Afganistanit Hamid Karazi dhe presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinexhad.

Zëdhënësi i MPJ-së turke, Selçuk Junal theksoi se Izraeli dhe Armenia paralajmëruan tek autoritetet turke se nuk do të marrin pjesë në konferencë në nivel politik, ndërsa Republika e Qipros do të merr pjesë në nivel të ministrit të Punëve të Jashtme.

Konferencën sot me fjalim të shkurtë e hapi sekretari i përgjithshëm i KB-së Ban Ki-Mun. Presidenti i Turqisë Abdullah Gjyl, gjithashtu foli në forum, duke theksuar se në dekadat e fundit është rritur numri i shteteve me zhvillim të dobët.