Lajme Shqip Wednesday, 06 April 2011 12:03

Prishtinë – Në Prishtinë u hapën sot dy panaire: edicioni i tetë i Panairit të turizmit dhe udhëtimeve dhe edicioni i pestë i Panairit të edukimit.

Në Pallatin e Rinisë në Prishtinë u hapën sot ndaras panairi i turizmit dhe udhëtimeve dhe ai i edukimit.

Zyrtarë të organizatës CEO, thanë se në edicionin e tetë të panairit të turizmit dhe udhëtimeve do të prezantohen oferta të shumta turistike të vendeve të rajonit dhe me gjerë, por njëkohësisht do të përurohet edhe turizmi vendor. Ministrja e tregtisë dhe industrisë, Mimoza Kusari Lila, u shpreh se turizmi ka efekte edhe në sektorë tjerë dhe mund të shfrytëzohet për zhvillim të hovshëm ekonomik. Ajo foli edhe për potencialet që ka vendi ynë për zhvillimin e kësaj veprimtarie ekonomike.

Sabah Jenishta, zyrtar i ministrisë së turizmit në Shqipëri, theksoi se gjatë vitit të kaluar ishte rritur ndjeshëm numri i turistëve që kanë vizituar bregdetin shqiptare. Ai konfirmoi angazhimin e mëtejshëm të qeverisë shqiptare, në mënyrë që Shqipëria të kthehet në destinacion të rëndësishëm turistik mesdhetar.

Në panair ishte i pranishëm edhe kryetari i komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, i cili ftoi kosovarët që ta vizitojnë atë vend bregdetar.

Në të njëjtin vend u hap edhe panairi ndërkombëtar i edukimit. Ministri i arsimit, shkencës e teknologjisë, Ramë Buja, vlerësoi se prezantimi i ofertave arsimore do t’iu shërbejë studentëve të përcaktohen rreth studimeve të tyre.