Lajme Shqip Friday, 09 December 2011 18:30

Prej vitit 2005 deri në vitin 2008, Shqipëria përjetoi atë që mund të quhet parajsa e kreditimit. Ekspansioni i “Raiffeisen Bank” dhe i bankave tregtare greke e bëri marrjen e një kredie nga bizneset dhe individët shumë më të lehtë se ç’kishte qënë deri atëherë. Kredia për ekonominë arriti rritje vjetore deri në masën 50%.

Por kriza financiare dhe më vonë ajo ekonomike i solli bankat dhe njerëzit me këmbë në tokë. Të marrësh kredi sot është sigurisht më e vështirë nga ç’ishte tre vjet më parë. Dikur, bankat të jepnin kredi thjesht me një vërtetim page nga punëdhënësi. Sot, kjo është praktikisht e pamundur. Edhe për një kredi konsumatore, në shumë të vogël, banka kërkon që të ardhurat të jenë të verifikueshme, pra, të kanalizuara në sistemin bankar.

Madje, për kredinë konsumatore, disa banka kërkojnë që klienti të jetë domosdoshëmrisht klient i bankës, qoftë si pagamarrës apo si zotërues i një llogarie tjetër bankare. Nëse tre vjet më parë një kredi konsumatore mund ta merrje pa një person dorëzanës, sot një i tillë, jo vetëm që është i domosdoshëm, por, edhe ai duhet të ketë të ardhura të deklaruara dhe që derdhen në bankë.

Kujdesi në rritje nga ana e bankave e ka bërë akoma më të rëndësishëm formalizimin e të ardhurave. Puna në të zezë nuk është vetëm dëm në kurriz të përfitimit të shërbimeve sociale dhe shëndetësore, por, nëse punoni në të zezë, sot e keni shumë të vështirë për të përfituar një kredi bankare. 

Deri në vitin 2008, bankat nuk kishin asnjë hezitim për të dhënë kredi në monedhë të huaj, madje banka të veçanta edhe e promovonin këtë lloj kredie. Ndërsa sot është më e vështirë të merrni një kredi në euro apo dollarë, me përjashtim të rasteve kur keni të ardhura në këto monedha.

Deri tre vjet më parë nuk ekzistonte regjistri i kredive dhe bankat nuk kishin mundësi të verifikonin profilin e aplikuesve për kredi. Ndërsa sot, ky është hap i domosdoshëm. Nëse keni një çfarëdo detyrimi të pashlyer ndaj sistemit bankar apo rezultoni si kreditor i keq në regjistër, është e pamundur të merrni një kredi të re.