Lajme Shqip Sunday, 24 April 2011 12:54

Tiranë – Vetëm në vitin 2010 sistemit bankar shqiptar i janë vjedhur 143 mijë euro nëpërmjet mashtrimit me karta bankare. Sipas të dhënave konfidenciale të nxjerra nga Shoqata e Bankave, vitin e kaluar u regjistruan 828 raste vjedhjeje nëpërmjet kartave bankare. Pjesa më e madhe e këtyre vjedhjeve janë bërë me tërheqje nëpërmjet kartave të klonuara, rreth 81% e shumës totale të vjedhur. Kjo dëshmon qartë se Shqipëria, megjithë kohën e shkurtër të përdorimit të sistemeve të pagesave, ka hyrë në hartën e mashtrimeve me karta bankare.

Ekspertët shprehen se forcimi i standardeve të sigurisë në vendet e zhvilluara ka bërë që grupet kriminale të zhvendosen drejt vendeve më pak të zhvilluara, ku sistemet elektronike të pagesave janë më të reja. Dhe në fakt rezultoi se në Shqipëri vitin e kaluar u kryen mesatarisht 69 mashtrime në muaj, për një shumë mesatare mujore prej afro 12 mijë eurosh.

 

Vjedhjet milionëshe: Italianët e “Paterica”…

 

Një nga rastet më flagrante të mashtrimit kompjuterik me karta në Shqipëri u zbulua në fillim të vitit 2010. Autorë të vjedhjes ishin dy shtetas italianë, që arritën të vjedhin gjithsej 29 mijë euro nga ATM e bankave shqiptare, duke përdorur 35 karta të falsifikuara.

Hetimi pat filluar që në shtator të vitit 2009, kur banka Intesa SanPaolo raportoi sulme me karta bankare të falsifikuara në ATM-të e veta. Për katër ditë, nga 11 deri në 15 shtator dy djem të rinj të moshës 23-25 vjeç arritën të kryenin 100 tërheqje të suksesshme dhe 200 të tjera mbetën në tentativë. Policia filloi një hetim të quajtur “Paterica”, por që nuk dha rezultati derisa dy italianët u kthyen përsëri në vendin e krimit.

Më datë 12 janar 2010,  rreth orës 23.30 një nga personat shkoi pranë ATM të bankës Intesa SanPaolo te Stacioni i Trenit në Tiranë dhe kreu disa veprime me kartat e falsifikuara. ATM ishte vendosur nën mbikqyrje dhe personi u arrestua në flagrancë. Bashkëpunëtori i tij arriti të largohej me makiën, por u arrestua pak më vonë.

 

…dhe kosovarët e “Skimmer 2”

 

Rasti më i fundit i takon muajit shkurt të këtij viti. Në operacionin Skimmer 2, policia shqiptare arrestoi 2 shtetas shqiptarë dhe 3 kosovarë.

Zanafilla e operacionit ishte data 21 janar, kur banka Raiffeisen njoftoi se në një subjekt tregtar në Plazhin e Golemit ishin kryer 7 transaksione të suksesshme dhe 21 tentativa të pasuksesshme në terminalin POS. Nga transaksionet e suksesshme ishte procesuar shuma prej 2.4 milion lekë. Për këto transaksione ishin përdorur 8 karta krediti, të cilat i përkisnin bankave në SHBA dhe që u dyshuan që në fillim si të falsifkuara nga Banka Raiffeisen. Ndërkohë që policia nisi hetimin, një tjetër bankë, Tirana Bank, denoncoi se qysh para rastit në fjalë, më datat 16 dhe 19 janar, ishin kryer transkasione të dyshimta në terminalin POS të një hoteli po në Golem.

Gjithsej ishin kryer 26 transaksione, nga të cilat 16 rezultuan të suksesshme për një shumë totale të procesuar prej 6.5 milion lekë. Edhe në këtë rast ishin përdorur 8 karta krediti të regjistruara në SHBA dhe të dyshuara si të falsifikuara. Rastet e dyshimta në dy subjekte në distancë të afërt me njëri-tjetrin, bënë që policia të kërkonte nga bankat investigimin e të gjitha veprimeve të bëra në Shqipëri nga kartat e përdorura.

Banka Raiffeisen raportoi se këto karta ishin përdorur në disa ATM në Kavajë, Durrës dhe Elbasan, ndërsa banka Intesa SanPaolo raportoi se kartat ishin përdorur në terminalin e një subjekti tregtar në qendrën tregtare City Park, në Tiranë. Pasi u sekestruan pamjet filmike të subjekteve tregtare dhe ATM-ve, rezultoi se të implikuar në mashtrim ishin pronarët e dy subjekteve tregtare në Golem dhe një shtetas kosovar, që jetonte përkohësisht në Durrës. Hetimi i policisë zbuloi se karta ishin prodhuar dhe falsifikuar në Kosovë nga një tjetër shtetas kosovar. Pronarët e subjekteve tregtare kishin bërë marrëveshje që të bashkëpunonin për kryerjen e transaksioneve të paligjshme me këto karta, duke përfituar 50% të shumës së vjedhur.

Në fillim të muajit shkurt 2 shtetasit kosovarë kishin hyrë në Shqipëri dhe u takuan me shtetasin tjetër kosovar rezident në Durrës, me qëllim për t’i dhënë karta të reja të falsifikuara të gatshme për përdorim. Në këtë moment, ata u arrestuan në flagrancë.

Pas arrestimit, ju sekuestrua një pajisje Skimmer për klonimin e kartave, dhjetëra karta plastike me shirit magnetik në të cilin ishin hedhur të dhëna të kartave bankare të vjedhura. Nga ekzaminimimi i provave u konstatua se aktiviteti kriminal i këtyre shtetasve ishte shumë i gjerë dhe i organizuar dhe përfshinte edhe shtete të tjera, si Franca, Rusia, Çekia dhe Sllovakia, përveçse edhe Kosova.

 

Kartat me shirit magnetik, më të pasigurtat

 

Enkelejda Balliu, kryetare e Komitetit Kundër Mashtrimeve me Karta në Shoqatën Shqiptare të Bankave, thotë se mashtrimi është një risk që lidhet me zhvillimin e biznesit të kartave. Megjithatë, sipas saj, për momentin Shqipëria nuk hyn në vendet problematike si objekt i sulmeve masive të grupeve kriminale të këtij lloji.

“Po të shohim statistikat, pjesa më e ndjeshme ndaj aktiviteteve kriminale është ekspozimi i kartës në përdorimin e saj. Çdo kartë është e shoqëruar me kodin PIN, që është kyçi i sigurisë. Kodi PIN nuk i tregohet askujt. As familjarëve, as policisë as një personi të dytë: është tërësisht sekret. Kur karta përdoret për blerjet në internet, është kodi treshifror i sigurisë. Edhe këtë kod klienti duhet ta ruajë dhe në rastet kur e përdor shumë shpesh për blerje në internet, është e këshillueshme që karta të ndërrohet. Për sa i takon elementeve të sigurisë teknike, fillimisht në tregun shqiptar karta janë paraqitur me shirit magnetik dhe aty ruhej informacioni i kartës. Me zhvillimin e këtij lloji biznesi, shumica e kartave kanë hedhur në përdorim karta me chip elektronik, që janë më të besueshme”, thotë. Balliu.

Megjithatë, pavarësisht nga ajo që pretendon znj.Balliu, kartat me shirit magnetik, vazhdojnë të përdoren në një masë të konsiderueshme edhe nga bankat shqiptare. Sidomos bankat që lëshojnë Master Card vazhdojnë të përdorin shiritin magnetik për ruajtjen e të dhënave, çka i bën këto lloj kartash më të ekspozuara ndaj klonimit dhe manipulimeve.

Siç thuhet edhe në raportin konfidencial të Shoqatës së Bankave, përdorimi masiv i këtyre kartave në rrjetin global të pagesave, veçanërisht në SHBA, e bën këtë sistem mjaft të rrezikuar nga mashtrimet.