Lajme Shqip Thursday, 21 February 2013 18:09

Tiranë – Ministri i Ekonomisë Edmond Haxhinasto zbardhi detaje të reja mbi procesin e dështuar të shitjes së Albpetrolit.

I thirrur në interpelancë nga deputeti socialist Erjon Braçe, zoti Haxhinasto tha se pas dështimit të ofertës së parë, Qeveria e këshilluar nga ‘Patton Bogs’, tentoi në fillim të këtij muaji t’ia shesë Albpetrolin, kompanisë së renditur e dyta.

“Këshilli i Ministrave, me vendimin 74, datë 01/02/2013, në vijim të procedurave të privatizimit të shoqërisë vendosi të shpallë të mbyllura negociatat për kontratën e ‘Vetro Energy’. Në këtë vendim autorizohet Ministria e Ekononimisë, Tregtisë dhe Energjetikës për të vlerësuar vazhdimin e vlerësimit të ofertave të tjera”, tha ministri Haxhinasto.

Por vetëm pak ditë më vonë nga ky vendim, Qeveria e kuptoi se procesi ishte i paligjshëm, pasi ofertave u kishte kaluar afati një muaj më parë.

“Ministria e Ekonomisë, në zbatim të detyrës të caktuar nga Këshilli i Ministrave shfrytëzoi vlefshmërinë kohore të ofertave, nga ku konstatoi se ato ka qenë të vlefshme për periudhën 120 ditë, pas datës së hapjes së ofertës. Ofertat janë hapur në një proces publik në datë 7 shtator dhe për pasojë vlefshmëria e ofertave në garë ka përfunduar me 7 janar”, tha Haxhinasto.

“…Do të thotë se nga ajo ditë, e nga ajo orë nuk ka më oferta të vlefshme për këtë tender. Ju tentuat një javë më parë që të riaktivizoni tenderin. Pra është e qartë se cdo gjë ka mbaruar, jo se do Qeveria, sic u shprehët këtu pak më parë, madje pavarësisht saj, por sepse kështu thotë ligji dhe akti i dalë në zbatim të tij. Ka mbaruar po me një dëm kolosal, ekonomik në respekt të ligjit”, tha deputeti socialist Erjon Braçe.

Në vendimin numër 107 të Këshillit të Ministrave përcaktohet, se nëse kompania e shpallur fituese nuk arrin të kryejë pagesën e plotë, Qeveria i tërheq garancinë e ofertës prej 10 për qind, që në rastin e “Vetros” ishte 85 milionë euro.

“Në këto kushte Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës filloi menjëherë procedurat e tërheqjes së garancisë së ofertës së këtij konsorciumi, në përputhje me përcaktimet e legjislacionit në fuqi, pra në 7 dhjetor”, tha Haxhinasto.

“Dua të pyes Kryeministër dhe ministër, ku janë sot 85 milionë euro, që duhet t’i kishit të arkëtuara, pse nuk i arkëtoni, ku janë paratë? Paratë nuk janë”, tha Braçe.

Ky dëm për zotin Braçe ka përgjegjës me emra konkretë, të cilët nisin nga Komisioni i Tenderit e përfundojnë deri në majën më të lartë të Qeverisë.

“Komisioni i Tenderit që pranoi një letër kallp është i Qeverisë tuaj. Emërohet dhe kontrollohet nga Sali Berisha. Kompania ‘Patton Bogs’ që dha sigurinë mbi letrën kallp është lobisti juaj më i paguar dhe arrogant i Kryeministrit tuaj. Mbi këtë letër kallp, Komisioni i Kryeministrit shpalli fituesin. Të gjithë bashkë kanë shpërdoruar detyrën kanë mashtruar me një dëm ekonomik prej 85 milionë eurosh dhe ky është krim penal”, tha Braçe.

Një ditë më parë deputeti Braçe dorëzoi në Prokurori një kallëzim penal, për Komisionin e Ofertave dhe kompaninë konsulente “Patton Bogs”, si dhe persona të tjerë të përfshirë në tenderin e dështuar.(LajmeShqip.com)