Lajme Shqip Wednesday, 26 August 2015 15:50

KEDS është duke përgatitur planin që deri në maj të vitit të ardhshëm të largojë nga puna 250 punonjës të vet. Së pari një numër të kuadrit të vjetër por edhe disa të rinj që kanë qenë në disa poste i ka degraduar dhe strehuar nipër trafo-barakë dhe i ka lënë të paangazhuar.

Këto shenja kanë ardhur pasi tashmë ka filluar diskriminimin e punonjësve duke i lënë të paangazhuar ata dhe të mërziten për ta lëshuar punën. Kështu kanë bërë të ditur drejtues të Federatës Sindikale të Pavarur Elektrokosova – FSPE.

Nënkryetari i Federatës Sindikale të Pavarur Elektrokosova, Sherif Fejzullahu, tha se menaxhmenti i KEDS po përdorë lloj-lloj metodash presioni ndaj punëtorëve të të gjitha profileve që të dorëzohen dhe t’i lëshojnë vendet e punës.

Ai ka marrë shembull një rast në Gjilan, ku dy femra me mbi 25 vjet përvojë pune janë dërguar në një trafo, ku është vetëm depoisti, dhe atje nuk bëjnë asgjë.

Sipas tij, ky menaxhment i KEDS-it po përgatitet që në muajin maj 2016, kur skadon kontrata me Qeverinë e Kosovës, të shkarkojë një numër të madh të punëtorëve.

Sindikalistët kërkojnë urgjentisht masivizimin ose anëtarësimin e të gjithë punëtorëve në FSPE për të shtuar forcën e rezistencës dhe për të ndalur këtë projekt ose fushatë largimi të punëtorëve.

Sindikata kërkon nga KEDS të heq dorë nga largimi i punëtorëve nga puna, duke i cilësuar këto metoda shumë primitive.