Lajme Shqip Thursday, 23 February 2012 19:12

Tiranë- Viti 2011 u karakterizua nga një konkurrencë e ashpër në tregun e sigurimeve. “Sigal Uniqa Group Austria” vazhdoi rritjen dhe shtoi pjesën e saj të tregut, ndërsa shumica e kompanive pësuan rënie të të ardhurave krahasuar me vitin 2010. Në rënie rezultuan “Insig” edhe tre kompanitë e grupit “Vienna Insurance”.

“Sigma” ngeli e dyta, por pjesa e saj e tregut u tkurr nga 15.4% në 13.2%. Dy kompanitë e tjera të blera nga grupi vienez, “Interalbanian” dhe “Intersig” pësuan një rënie më të moderuar. Për t’u shënuar rritja e atyre që një vit më parë ishin kompanitë më të vogla, “Eurosig” dhe “Albsig”.

“Eurosig” rriti volumin e primeve me 33% duke lënë pas vendin e fundit dhe duke u renditur tashmë e gjashta nga tetë kompani gjithsej. E fundit ngelet “Albsig”, që megjithatë arriti të rriste të ardhurat vjetore me 8%. Në tërësi, tregu i sigurimeve të jo-jetës vitin e kaluar shënoi një rënie të vlerës së primeve me rreth 0.4%.

Tregu i sigurimit të jetës përkundrazi regjistroi një ecuri më pozitive dhe u rrit me 25%. “Sigal Life” ngelet kompania më e madhe, por pjesa e saj e tregut këtë vit ra nga 52% në 48%. Në rritje është “Sicred”, që e shtoi pjesën e saj të tregut nga 28% në 32.5%. Në tregun e jetës, “Insig” pati një ecuri më të qëndrueshme dhe mbajti rreth 19% të tregut, po aq sa një vit më parë.