Lajme Shqip Friday, 08 July 2011 19:21

Tiranë – Shkalla e përqëndrimit në tregun e sigurimeve paraqitet në rënie. Për 5-mujorun e parë të këtij viti, tre kompanitë e para zinin 58% të tregut, nga 60% që zinin për të njëjtën periudhë të një viti më parë. Tregu vazhdon të kontrollohet bindshëm nga “Sigal Uniqa Group Austria”, me afro 35%, nga 30.6% që zinte një vit më parë. E dyta renditet “Sigma Vienna Insurance Group”, me 13.6% të tregut, por në rënie krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur mbante 17.7% të tregut.

Në rënie është edhe Interalbanian, që këtë vit zë 9.7% të tregut, nga 11.4% që zinte një vit më parë. Ndër kompanitë e tjera, “Intersig” e ka rritur pjesën e saj të tregut me rreth 1 pikë përqindjeje dhe renditet e katërta në treg, me 9.35%. “Sigal” është kompania që zë edhe pjesën kryesore të dëmeve të paguara, me 27.7% të totalit. E dyta renditet “INSIG”, me afro 20% të totalit të dëmeve, ndërkohë që zotëron vetëm 8.4% të primeve.

Ky raport i pazakontë ka bërë që “INSIG” të ketë një raport shumë të lartë dëme/prime, pranë nivelit 65%, nga 24% që është mesatarja e tregut. Edhe në tregun e sigurimit të jetës vazhdon të kryesojë “Sigal”, me afro 50% të totalit të primeve, por me një pjesë të tregu më të ulët se një vit më parë. Në rritje është “Sicred”, që për 5-mujorin e këtij vitit zinte 30% të tregut, nga 21% që zinte vitin e kaluar.n (LajmeShqip.com)