Lajme Shqip Friday, 18 March 2011 09:59

Prishtinë – Qeveria e Kosovës nuk e ka të njëjtë vetëm kryeministrin dhe pjesën më të madhe të kabinetit të ministrave, sikur që i kishte në mandatin paraprak. Asaj i kanë mbetur të njëjta edhe prioritetet, shkruan të premten e përditshmja kosovare “Koha Ditore”.
Prioritetet strategjike të saj, të përshkruara në planin e punës për 2011, të cilin e ka siguruar gazeta të enjten, janë: rritja ekonomike, qeverisja e mirë dhe kohezionin social. Ndonëse në numër një më pak, ato të ngjashme me prioritetet e 2008-s, të përshkruara edhe në programin qeverisës mandatar: rritjen ekonomike, implementimin e statusit, qeverisjen e mirë dhe zbutjen e varfërisë e stabilitetin social.
Nëpërmjet 53 aktiviteteve Qeveria synon arritjen e prioriteteve strategjike të saj.
Në prioritetin e parë, objektiv të parë ka vënë zhvillimin e infrastrukturës në fushën e transportit. Është paraparë ndërtimi i autostradës R7 Morinë-Merdar, përkatësisht vazhdimi  i ekzekutimit të punimeve në segmentet 1-2-3-4 Vërmicë-Prizren-Suharekë-Dule, me gjatësi 42 kilometra, si dhe përfundimi i projektit zbatues të autostradës për segmentet 8 dhe 9 që i referohet segmentit Prishtinë-Besi. Kjo merr edhe “copën e Luanit” nga Buxheti i Kosovës – fiks 275 milionë euro.
Në këtë prioritet ka hyrë edhe përgatitja dhe definimi i modelit të financimit për fillimin e ndërtimit të autostradës R 6, Prishtinë-Han i Elezit, pastaj fillimi i modernizimit të linjës së 10 hekurudhore sipas standardeve evropiane, si dhe ndarja e Hekurudhave të Kosovës sh.a. në dy kompani të reja.
Rritjen ekonomike, Qeveria e ka menduar edhe nëpërmjet “furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike”. Për mirëmbajtjen e sistemeve të gjenerimit ka ndarë mbi 24,5 milionë euro. Krahas furnizimit me energji elektrike me operimin dhe mirëmbajtjen e kapaciteteve ekzistuese të gjenerimit dhe bartjes, është paraparë edhe importi prej 893.167 MWh të energjisë elektrike, në mënyrë që të përmbushen nevojat e vendit. Rreth 30 milionë euro janë paraparë për zhvillimin e Minierës së Re të linjitit në fushën e Sibovcit, për furnizim me linjit të termocentraleve ekzistuese.
Ndërkaq, janë bërë vetëm planifikime të rritjes së kapaciteteve të prodhimit. Kësisoj, është paraparë zhvillimi i projektit për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, atij të Hidrocentralit Zhur dhe zhvillimi i projektit për ndërtimin e 11 hidrocentraleve të vogla të identifikuara me studim. Me këtë dokument qeveritar është paraparë privatizimi gjatë vitit i distribucionit dhe furnizimit të energjisë elektrike.
Prioriteti i parë i Qeverisë mëtohet të mbërrihet edhe me realizimin e disa objektivave në sferën e arsimit, ku parashihet të ndërtohet “sistem efektiv që bën të mundur gjithëpërfshirjen e nxënësve në arsimin dhe aftësimin e obligueshëm”. Është paraparë që gjatë vitit të fillojë implementimi i Kurrikulit të ri në të gjitha nivelet shkollore të arsimit parauniversitar, si dhe të bëhet vazhdimi i punës në përmirësimin e infrastrukturës shkollore që ka kosto mbi 17 milionë euro.
Rritjen ekonomike Qeveria synon ta arrijë edhe me luftimin e ekonomisë joformale. Është paraparë zbatimi dhe mbikëqyrja e dispozitave të Ligjit të punës, duke përfshirë aktivitetet praktike të inspektoratit të punës, pastaj kontrolli i mallrave dhe shërbimeve në tregun e brendshëm, koordinimi i aktiviteteve në mes të ATK-së, Policisë së Kosovës dhe Doganave të Kosovës në luftimin ekonomisë joformale, si dhe intensifikimi i kontrollit në pikat kufitare me Serbinë, 1 dhe 31.

Prioritetin e dytë strategjik, qeverisjen e mirë, Qeveria parasheh ta mbërrijë nëpërmjet objektivit të parë – sundimit të rendit dhe ligjit. Pastaj ka renditur pjesë të këtij objektivi. Këtu bën pjesë përmbushja e projektit “Polici e udhëhequr nga inteligjenca”, implementimi i strategjive shtetërore dhe planeve të veprimit në luftimin e krimit, krimit të organizuar, trafikimit me qenie njerëzore, trafikimit me narkotikë, terrorizmit dhe migrimit ilegal. Po kështu, është paraparë ngritja e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e sigurisë, pastaj negocimi dhe nënshkrimi i marrëveshjeve për bashkëpunim policor dhe luftim të krimit me vendet fqinje dhe shtetet anëtare të BE-së, intensifikimi i luftës kundër kontrabandës përmes teknikave moderne të zbatimit të ligjit: Inteligjencës, Masave hetimore, Vlerësimit të riskut, Kontrolleve postdokumentare dhe Antikontrabandës, si dhe bartja e përgjegjësive për menaxhimin dhe kontrollin e kufijve nga KFOR-i në Policinë e Kosovës.
Të tjera objektiva me të cilat mëtohet të arrihet qeverisja e mirë, janë reforma e administratës publike si dhe lufta kundër korrupsionit. Kjo e fundit mendohet të arrihet me zbatimin obligimeve të Qeverisë që dalin nga Strategjia dhe Plani i Veprimit për Luftën Kundër Korrupsionit dhe me zbatimin e Legjislacionit antikorrupsion.
Prioriteti i tretë dhe i fundit strategjik i Qeverisë, kohezioni social, synohet të përmbushet nëpërmjet objektivave për mbështetje për kategoritë e veçanta të shoqërisë. Vetëm rritja e mirëqenies sociale përmes ofrimit të mbështetjes për familjen në komunitet dhe zvogëlimi i varfërisë, kryesisht përmes skemave sociale, ka kosto prej  30 milionë eurosh. Ndërkaq, ka kosto prej 137 milionë eurosh zbatimi i skemave pensionale ekzistuese dhe implementimi i vendimeve të Qeverisë për rritjen e përkrahjes për kategori të caktuara. Ndërkaq, ngritja e shkallës së punësimit në nivel vendi dhe aftësimi profesional i punëkërkuesve mëtohet të arrihet me një investim prej 10 milionë eurosh, thuhet ndër të tjera në një artikull të sotëm të gazetës së njohur kosovare “Koha Ditore”.