Lajme Shqip Monday, 09 May 2011 14:00

Tiranë – Dy muajt e parë të vitit 2011 janë karakterizuar nga rritja e interesave të kredisë në lekë. Në muajt janar-shkurt norma e interesit për kreditë në lekë është rritur, duke ndjekur edhe rritjen e interesit të Bonove të Thesarit.

Ajo shënoi mesatarisht 13.4% këto muaj, por Banka e Shqipërisë saktëson se kjo vlerë e lartë u ndikua nga një kredi afatshkurtër në shumë të konsiderueshme me normë interesi shumë lartë mesatares së sistemit. Duke përjashtuar këtë kredi, norma e interesit rezulton 12.4%, duke qenë gjithsesi 0.18 pikë përqindjeje mbi nivelin e tremujorit të kaluar.

Rritja e mesatares është ndikuar kryesisht nga interesat për kushte të veçanta të aplikuara në disa banka, kryesisht për kapital qarkullues për biznese. Ndërkohë kreditë afatgjata për pasuri të patundshme në lekë janë ulur sërish.

Sipas Bankës së Shqipërisë, normat mesatare të interesit të kredive vazhdojnë të ndikohen kryesisht nga diversifikimi në ofertat dhe në kushtet speciale të disa bankave të sistemit për klientë të veçantë, në të dy monedhat kryesore. Gjithashtu, monitorimi i vazhdueshëm, rritja e normave referencë dhe rreziku i kursit të këmbimit kanë qenë faktorët që vazhdojnë të ndikojnë në mbajtjen e marzheve të larta.

Nga ana tjetër, kreditimi në euro ka shënuar rënie të interesave në këtë periudhë. Muajt janar-shkurt, kanë vijuar me lehtësim të interesave për kreditë në euro, duke regjistruar vlerën mesatare 6.88%, ose 0.36 pikë përqindjeje nën mesataren e tremujorit të katërt të vitit 2010. Interesat kanë pasqyruar ecuri të njëjtë edhe sipas afateve, ndonëse ndikimin më të lartë e kanë përcjellë ato afatmesme, të ndikuara nga banka të veçanta.

Ndërkohë, në afatin e gjatë mbi 5 vjet, bankat vazhdojnë të jenë skeptike me çmimin e kredive të reja në valutë. Norma e interesit për këto kredi u rrit mesatarisht 0.22 pikë përqindjeje në muajt janar-shkurt krahasuar me një tremujor më parë.