Lajme Shqip Thursday, 10 November 2011 18:30

Muaji Shtator i ka dhënë një hov kredisë së re për biznesin. Nëse deri në fund të muajit Gusht, kredia e re dhënë biznesit rezultonte më e ulët krahasuar me vitin 2010, në Shtator raportet kanë ndryshuar.

Sasia e kredisë së re për biznesin në 9-mujorin e këtij viti ishte 166.6 miliardë lekë, me një rritje 1.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2010. 67% e totalit të kredisë së për biznesin u mor për overdraft ose kapital qarkullues dhe vetëm një pakicë për investime në makineri e pajisje apo pasuri të paluajtshme.

Kjo tregon se rritja e kreditimit shkon kryesisht për të mbuluar nevojat afatshkurtra për likuiditet të bizneseve dhe nuk sinjalizon për gjallërim të investimeve private në ekonomi. Shumica e sektorëve kryesorë të ekonomisë kanë kaluar nivelin e kredisë së re të marrë vitin e kaluar.

Tregtia, sektori më i kredituar i ekonomisë shqiptare ka përfituar 69.5 miliardë lekë kredi, me një rritje prej 2.4% krahasuar me një vit më parë. Tregtia zë 42% të kredisë së re për biznesin. Industria përpunuese ka kaluar Ndërtimin si sektori i dytë më i kredituar i ekonomisë.

Ndonëse nuk ka rritje të rëndësishme krahasuar me vitin e kaluar, Industria Përpunuese ka ruajtur një nivel të përafërt të kredisë, ndërkohë që ndërtimi ka pësuar rënie krahasuar me një vit më parë.

Kredia e re për Ndërtimin në 9-mujorin e këtij viti kishte vlerën e 21.9 miliardë lekëve, me një rënie prej 7.2% krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, kredia për Ndërtimin ka arritur përmirësim krahasuar me 8-mujorin, kur regjistronte një rënie vjetore me afro 14%. Një tjetër sektor që rezulton me rënie të kreditimit gjatë këtij viti është ai i Prodhimit dhe Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

Kredia për këtë sektor ka rënë në 10.8 miliardë lekë, 32% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa në rritje gjatë 9-mujorit të këtij viti rezulton kredia e re për sektorë si Bujqësia, Arsimi apo Hoteleria.