Lajme Shqip Wednesday, 15 February 2012 08:00

Tiranë- Rritja e ndjeshme e numrit të automjeteve për banor në Shqipëri në 10 vitet e fundit ka rritur konsumin e artikujve të mallrave me pakicë të tregtisë në këtë sektor, duke ndikuar direkt në rritjen e numrit të të punësuarve.

Në periudhën korrik-gusht 2011, sipas INSTAT-it indeksi i tregtisë së makinave dhe riparimi i tyre u rrit bashkë me punësimin, që u mat me 3.5%, kundrejt të njëjtës periudhë të vitit 2010.

Censusi për ndërmarrjet, publikuar së fundi nga INSTAT pohon se, biznesi i riparimit dhe tregtimit të makinave është më fitimprurësi, siguron një xhiro vjetore prej 43, 4 miliardë lekë dhe zë vendin e parë në 10 linjat e bizneseve më të mëdha në vend.

Përgjatë 10 viteve të fundit, sipas të dhënave statistikore rezulton se shqiptarët kanë rritur ndjeshëm investimet për blerjen e një makine e për pasojë, është rritur përqindja vjetore automjet/banor.

Në periudhën 2000-2010 kjo rritje llogaritet në 126%, ose 121 automjete/1.000 banor.

Kjo rritje numerike e makinave reflekton rritjen e tregtisë me pakicë të karburanteve. Sipas INSTAT, kjo rritje llogaritet në 56% më shumë, krahasuar me vitin 2008.

Nisur nga ky tregues me një trend rritës prej 10 vitesh, ekspertë të ekonomisë gjykojnë në periudha afatshkurtra, se shitjet dhe mirëmbajtja e automjeteve shërben si një model i mirë për parashikimin e rritjes ekonomike.

Në Shqipëri përgjatë 13 viteve të fundit kanë hapur përfaqësitë e tyre markat më të njohura botërore të prodhimit të makinave, si “Opel”, “Toyota”, “Peugot”, “Wolkswagen”, “Renaut-Nissan”, “Suzuki”, etj.    

Njëkohësisht me to, janë hapur edhe pikat e servisit të tyre, ç’ka ka rritur në tregun shqiptar ofertën për automjete të reja. (LajmeShqip.com)